Futboll

Superiore/ Test kampionësh për Kukësin, Tirana për “ristart” ndaj Laçit

Java e 4-t e Abissnet Superiores mbyllet sot me dy ndeshje të rëndësishme. Kukësi, që kryeson renditjen me 7 pikë, do të luajë me Teutën kampione në fuqi, kurse Tirana, pas 2 barazimesh radhazi, duhet patjetër të mundë Laçin për të treguar se do të jetë edhe ajo në radhën e pretendentëve për titull.

Në këtë fillim të kampionatit, Kukësi, i drejtuar nga trajneri italian Longo, ka treguar më shumë stabilitet dhe në 3 javë ka marrë më shumë se të gjithë, 7 pikë. Sot ndeshet me Teutën në “Elbasan Arena” dhe kjo ndeshje do të jetë një test më i mirë për kuksianët. Nëse kalojnë me sukses edhe kampionët në fuqi të vendit, atëherë ata mund të konsiderohen kandidatë seriozë për titullin.

Kukesi para nje ndeshjeje. Gazeta Si, 3 tetor 2021

Teuta në anën tjetër nuk fiton që prej javës së parë të kampionatit, kur mundi Partizanin pikërisht në stadiumin e Elbasanit. Durrsakët kanë avantazhin e fushës asnjanëse dhe në ndeshjet me kundërshtarë të fortë dinë ta tregojnë veten.

Një ndeshje të rëndësishme luan sot edhe Tirana, që vjen pas dy barazimesh radhazi, si shumë rivalë të saj, por duhet theksuar se bardheblutë i kanë lënë pikët me skuadra relativisht të dobëta, madje edhe në fushën e tyre. Ndaj Laçit, skuadra e trajnerit Orges Shehi është e dënuar të fitojë, në të kundërt do të hynte në një krizë rezultatesh që tani. Para ndërprerjes së kampionatit për Kombëtaren, një fitore sot do të ishte “ilaçi” më i mirë për Tiranën.

Abissnet Superiore, java e 4-t
Sot, ora 13:45
Tirana-Laçi
Ora 16:45
Kukësi-Teuta

Të shtunën

Egnatia-Kastrioti 2-1

Skënderbeu-Vllaznia 0-0

Të premten

Dinamo-Partizani 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë