Interi ka vuajtur në ndeshjen e javës së 7-të të Serisë A ndaj Sasuolos, por në fund ka rigjetur fitoren, që e ngjit në kuotën e 17 pikëve. Zikaltrit kanë mundur Sasuolon 1-2 në fushën e tij, duke përmbysur rezultatin.
Skuadra e Simone Inzagit u gjend në disavantazh, pasi Berardi realizoi me penallti. Vendimtar në këtë ndeshje për Interin ishte Edin Xheko. Sulmuesi boshnjak u tregua i jashtëzakonshëm, duke shënuar golin e barazimit vetëm një minutë pasi kishte hyrë në fushë dhe më pas fitoi penalltinë e fitores, që u kthye në gol nga Lautaro Martinez.
Duhet theksuar se lëvizjet e trajnerit Inzagi nga stoli rezultuan të goditura. Kur kishte mbetur dhe pak më shumë se gjysmë ore lojë, ai hodhi në fushë Vidalin, Darmianin, Dimarkon dhe Xhekon, të cilët ndikuan drejtpërdrejt në përmbysjen e rezultatit. Kampionët në fuqi mund të kalojnë një natë në vend të dytë, vetëm 1 pikë pas Napolit kryesues.
Juventusi ka arritur sot fitoren e tretë radhazi në kampionat, sërish me cinizmin tipik të trajnerit Alegri. Në një derbi gati të barabartë me Torinon, gjithçka u zgjidh 4 minuta para fundit nga një gjuajtje e saktë e Manuel Lokatelit. Bardhezinjtë janë ngjitur në kuotën e 11 pikëve, ata mbajnë vendin e 8-të dhe duket se po e marrin veten gradualisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




