Vllaznia pretendente dhe Skënderbeu janë ndarë në barazim edhe këtë javë. Ky i sotmi është barazimi tretë radhazi për të dyja këto skuadra, që në pamje të parë dëmton shkodranët, por po të kemi parasysh se ata luajtën me 10 vetë për më shumë se 45 minuta, atëherë është një rezultat i pranueshëm. Vllaznia goditi shtyllën në pjesën e parë, kurse Skënderbeu humbi disa raste me sulmuesin Mensah.
Diçka e rrallë ka ndodhur në stadiumin e Korçës. Vllaznia ka mbetur me 10 lojtarë në pjesën e dytë, sepse sapo skuadra ka lënë dhomën e zhveshjes dhe është rikthyer në fushë, Mevlan Adili ka parë para fytyrës kartonin e dytë të verdhë. Në fund të pjesës së parë ai pati një zënkë me Zguron e Skënderbeut dhe trajnerin Memelli, i cili kërkoi t’i ndante fillimisht. Me ritkhimin në fushë, sipas rregullores, gjyqtari Jorgji u ka dhënë karton të verdhë të treve, por për lojtarin e Vllaznisë ishte i dyti dhe automatikisht i kuq.
Në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Egnatia mundi 2-1 Kastriotin. “Heroi” i rrogozhinasve ishte braziliani Pedro, autor i të dy golave për Egnatian, i pari me penallti dhe i dyti në kohën shtesë. Java e 4-t e Abissnet Superiores nisi ditën e premte me derbin Dinamo-Partizani, që përfundoi në barazim, 1-1. Kjo javë mbyllet nesër me ndeshjet Tirana-Laçi dhe Kukësi-Teuta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




