Një 24-vjeçare e cila kreu lindje të parakohshme, ka humbur jetën si pasojë e Covid-19. Xheni Kaba disa ditë më parë lindi fëmijën në javën e 31 me operacion pasi nivelet e oksigjenit i ranë ndjeshëm. Për shkak të komplikacioneve mjekët e dërguan në Turqi për mjekim të specializuar por e reja nuk ia doli. Mjekët më herët kanë bërë me dije se 24-vjecarja nuk ishte e vaksinuar nga Covid-19 dhe për shumë ditë ishte vetëkuruar në shtëpi. Sipas mjekëve, situata e grave shtatzëna është rënduar në vendin tonë. Të enjten e kësaj jave një tjetër nënë shtatzënë ndërroi jetë si pasojë e Covid-19. Roza Qoja, 34 vjeçe nga fshati Gjadër i Lezhës, ishte 4 muajshe shtatzënë dhe njëjtë si Kaba ajo nuk kishte bërë vaksinën anti-Covid.
Mjekët apelojnë vazhdimisht se situata e infektimeve tek gratë shtatzëna është e rënduar dhe vaksina anti-Covid është zgjidhja më e mirë e mundshme për to.
Erinda Nelaj, Drejtuesja e Programit Kombëtar të Vaksinimit i tha Gazetasi.al se me këtë grup të popullatës po punohet fort për vaksinimin pasi vaksinimi edhe tek gratë shtatzëna është konsideruar shumë i rëndësishëm nga CDC (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA). “Ka interes të shtuar por kuptohet që ndikohen shumë nga rrjetet sociale,” ka shpjeguar ajo.
Sipas mjekëve të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, deri tani janë konfirmuar rreth 100 gra shtatzëna të infektuara me Covid-19 dhe në rang kombëtar të paktën 3 prej tyre kanë humbur jetën nga infeksioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.