Pas motoçioklizmit, edhe Formula 1 do të zbarkojë në Katar. Dhe do ta bëjë menjëherë, duke parë që cirkuiti Losail, pranë Dohas, do të presë për herë të parë Çmimin e Madh më 21 nëntor. Kjo garë do të marrë vendin e Çmimit të Madh të Australisë në Melburn, që do të bëhej në të njëtën datë, por që është anuluar për shkak të masave shtrënguese të qeverisë për pandeminë.
Gara e Katarit do të jetë e 20-a për këtë sezon. Organizatorët kanë firmosur me “Liberty Media” një kontratë për të pritur për 10 vjet një garë, por duke nisur nga viti 2023. Me shtimin e kësaj gare, finalja e sezonit do të jetë e gjitha në Lindjen e Mesme: gara e Katarit pasohet nga ajo e Arabisë Saudite më 5 dhjetor, për t’u mbyllur me Çmimin e Madh të Abu Dhabit më 12 dhjetor.

“Sforcoja e madhe e të gjitha skuadrave, Formulës 1 dhe FIA-s ka bërë të mundur që të kemi një kalendar me 22 gara, diçka impresionuese për një vit impenjativ dhe të gjithë jemi krenarë”, – ka deklaruar presidenti dhe CEO i F.1, Stefano Domenikali. “Jam shumë krenar që mundëm të sjellim një garë të Formulës 1 në vendin tonë në një kohë kaq të shkurtër”, – ka shtuar Abdulrahman Al-Manai, president i “Qatar Motor&Motorcycle Federation”.
Sipas Zhan Todt, president i FIA-s, “ky impenjim i F1 për një kohë të gjatë, ashtu si organizimi i Kupës së Botës 2022, është një tjetër shembull i pasionit të Katarit për sportin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




