Shendet

Rriten infektimet te gratë shtatzëna, por ato janë skeptike për t’u vaksinuar: Ndikohen shumë nga rrjetet sociale

Numri i rasteve të reja me Covid-19 është rritje dhe sipas ekspertëve të shëndetit publik, kjo rritje reflektohet edhe në infektimin e grave shtatzëna. Por përballë rritjes së numrit të shtrimeve të tyre në spital, ato përsëri hezitojnë të kryejnë vaksinën, si mjetin e vetëm mbrojtës përballë Covid-19.
Një paciente shtatzënë e pavaksinuar të enjten në mëngjes, ndërsa burime të Gazetasi.al thonë se në Spitalin Covid-1 janë edhe tre paciente të tjera në gjendje të rëndë. Ndërsa drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” Eliona Demaliaj në një intervistë për mediat ka shpjeguar se deri më tani janë konfirmuar rreth 100 gra shtatzëna të infektuara me Covid-19 dhe në rang kombëtar 3 prej tyre kanë humbur jetën nga infeksioni.
Problemi më i shpeshtë i Covid-19 te gratë shtatzëna është aftësia e mpiksjes së gjakut dhe një nga komplikacionet kryesore te ky grup i popullatës është trompoza. Por ekspertë të shëndetit publik shpjegojnë se gratë shtatzëna hezitojnë të marrin vaksinën e Covid-19. Erinda Nelaj, Drejtuesja e Programit Kombëtar të Vaksinimit i tha Gazetasi.al se me këtë grup të popullatës po punohet fort për vaksinimin pasi vaksinimi edhe tek gratë shtatzëna është konsideruar shumë i rëndësishëm nga CDC (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA).

“Ka interes të shtuar por kuptohet që ndikohen shumë nga rrjetet sociale,” shpjegon ajo
Më tej Nelaj thotë se vaksinimet janë në dinamikë dhe është e vështirë të gjejmë një numër specifik të grave shtatzëna të vaksinuara.
Më herët zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli dhe njëkohësisht shefja e Komitetit Teknik të Ekspertëve i ka thënë Gazetasi.al se gratë shtatzëna absolutisht që duhet të vaksinohen dhe këtë çështje e kanë mbështetur e apeluar edhe ekspertët e shëndetit publik.
“Në princip të gjitha gratë shtatzënë duhet të bëjnë vaksinën, përveç ndonjë rasti të veçantë me probleme imuniteti apo alergjie që duhet të shihet nga mjeku që e ndjek,” i ka thënë Alban Ylli mjeku epidemiolog në ISHP Gazetasi.al.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të mërkurën deklaroi se gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur kohët e fundit duhet të vaksinohen urgjentisht.
Drejtori i CDC, Rochelle Walensky, është shprehur se inkurajon fuqimisht gratë shtatzëna ose ato që po konsiderojnë shtatzëninë të flasin me mjekët për përfitimet e vaksinës. Rochele thotë se ka raste kur antitrupat kalojnë tek foshnja duke mbrojtur potencialisht dhe fëmijën.
Në udhëzuesin e CDC shkruhej se departamentet shëndetësore dhe klinicistët duhet të edukojnë gratë shtatzëna mbi përfitimet e vaksinimit dhe sigurinë e vaksinave të rekomanduara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë