Media Galeri

I dehuri i zhdukur kërkon vetveten…bashkë me zjarrfikësit

Policia turke në qytezën Çajaka, pranë Bursës në veri-perëndim të Turqisë mori një telefonatë shqetësuese: familja denonconte se një 50-vjeçar ishte zhdukur pa gjurmë prej disa orësh në një zonë të pyllëzuar aty pranë.

Autoritetet nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit. Hetimet nisën fillimisht duke pyetur familjarët dhe banorët e tjerë të zonës. Nga ta u mësua se 50-vjeçari ishte parë për herë të fundit me një grup shokësh duke konsumuar alkool dhe mish të pjekur në zgarë pranë zonës së pyllëzuar ku u zhduk.

U hartua me shpejtësi një plan se si do të shpërndaheshin forcat e kërkim-shpëtimit, ku do të përqëndroheshin dhe si do të komunikonin me njëra-tjetrën. Në operacion u aktivizuan policë, zjarrfikës e grupe të tjera të emergjencave civile. Atyre iu bashkuan edhe grupe të shumtë të banorëve vendas, që me elektrik në dorë nisën krehjen e zonës ku ishte zhdukur 50-vjeçari i identifikuar me emrin Beyhan Mutlu.

I gjithë alarmi i ngritur shkaktoi një situatë, sa kaotike aq edhe komike. Mes qytetarëve që u përfshinë në operacionin e kërkim shpëtimit ishte edhe vetë…personi i shpallur në kërkim. 50-vjeçari Beyhan Mutlu iu bashkua një grupi zjarrfikësish që po kërkonin për të në pyll.

Ai ishte në gjendje aq të dehur, sa as që e kishte idenë se çfarë po kërkohej dhe kush po kërkohej. Por, për të paktën 2 orë ka kërkuar bashkë me zjarrfikësit për veten e vet. Operacioni komik u mbyll me sukses kur njëri prej zjarrfikësve, që i dehuri kishte pranë tij, thirri emrin “Beyhan”. Aty u përmend. “Mua po më kërkoni?”, citohet ai të ketë thënë nga mediat turke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë