Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka refuzuar për të katërtën herë kërkesën për liri të Fatos Tushes, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjës kërkoi masë më të butë me argumentin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, por kërkesa, e tij është rrëzuar nga GJKKO.
Edhe më herët, Tuhe ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar për pafajësi.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
Përgjatë një viti hetimesh, SPAK dyshon se ish kryebashkiaku i Lushnjës ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh.
Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall firma ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish-kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër Tushes, lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “thuaji se fola me shefin”.
Tushe ka dalë edhe në përgjimet e SPAK-ut, teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve dhe familjarëve të tij. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, ai u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Lushnjës.
Me urdhër të SPAK, disa muaj më parë policiaekzekutoi 11 urdhër-arresti në ambientet e bashkisë, duke arrestuar ish-krybashkiakun Tushe; Flamur Peqinin; Ibrahim Lamin; Bujar Muratin; Gazmend Çelën; Bektash Nexhën dhe Blerta Turkun.
Gjithashtu u ndaluan edhe shtetasit, Margarita Gjermeni; Andri Musho; Ani Simoni, dhe Xhemal Haskon, ndaj të cilëve SPAK i kishte kërkuar GJKKO-së, masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.