Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se do të rritet më tej disponibiliteti i vaksinave brenda këtij viti për të siguruar edhe dozën e tretë të vaksinës.
“Për sa i përket marrëveshjes të cilën ne miratojmë sot, për këtë furnizim me 500,760 doza vaksine, qeveria ka miratuar edhe kryerjen e pagesës direkte për blerjen e këtyre vaksinave që i hap rrugë sigurisht edhe furnizimit tashmë me këto vaksina, sipas kalendarit të miratuar në këtë marrëveshje. Fakti që po sjellim një amendim të marrëveshjes së nënshkruar bëhet për arsye se kjo marrëveshje nuk ka ndryshime as kur flitet për ndryshime në çmim dhe për kushte të tjera të kontratës, por sepse vjen në një sasi plus”, dekalroi Manastirliu gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë dhe Financave për diskutimin e Aktit Normativ “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V.
Më tej Ministrja e Shëndetësisë shpjegoi se edhe nëpërmjet COVAX do të mbërrijnë dy dërgesa të konsiderueshme të vaksinave brenda vitit.
“Në muajin tetor do të kemi edhe 188 mijë doza vaksine që mbërrijnë në Shqipëri nëpërmjet këtij instrumenti, ku Shqipëria ka parapaguar rreth 4 milionë dollarë. Ndërkohë që pritet që sërish nëpërmjet instrumentit Covax të mbërrijnë dhe rreth 370 mijë vaksina të cilat janë gjithashtu planifikuar për të mbërritur brenda këtij viti”, tha Manastirliu.
Ministrja shtoi se përqindja e popullatës së vaksinuar me një dozë është 44%, ndërkohë që përqindja e popullatës së vaksinuar me dy doza është drejt 36%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.