Dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, premtimet për rindërtimin apo riparimin e 151 shkollave apo objekteve arsimore nuk janë përmbushur plotësisht.
Në të 11 qytetet e ish-komunat e prekura nga tërmeti shkolla, që ende nuk kanë hapur dyert edhe pse pas tërmetit, në fund të vitit 2019, zoti Rama u shpreh se “Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm.”
Kjo deklaratë mund të jetë bërë në nxitim e sipër pasi ishte koha kur ende nuk ishin llogaritur dëmet nga tërmeti. Ndërkohë që në 12 mars të një vit më pas qeveria miratoi 7.9 miliardë lekë por vetëm për 59 shkolla.
Përmes fazës së parë dhe të dytë të programit “EU4Schools”, Bashkimi Europian ka marrë përsipër të financojë rindërtimin apo rikonstruksionin një pjese të madhe të objekteve arsimore të dëmtuara. Programi “BE për Shkollat” po zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP.

Më vonë, pjesë e programit të riparimin e institucioneve arsimore u bënë më tepër shkolla dhe në total, sot janë 151 shkolla ose objekte arsimore në vendin tonë, që janë përfshirë në programin e rindërtimit.
Por më tepër se gjysma e tyre nuk kanë përfunduar së rindërtuari dhe mijëra nxënës janë mbipopulluar në shkolla pritëse.
Për shkak të pandemisë dhe detyrimit me sa më pak fëmijë në klasa, sipërfaqet e vogla dhe shkollat e dëmtuara, mësimi po zhvillohet i cunguar, tmerrësisht i vështirë për fëmijët e prindërit, me katër turne.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, nga 151 shkolla të përfshira në programin e rindërtimit janë përfunduar rreth 68 shkolla, pra, më pak se gjysma e tyre.

Por pse procesi i rindërtimit të shkollave nuk po përfundon në afatet e përcaktuara fillimisht?
Sipas një raporti paraprak të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhjetëra godina arsimore të verifikuara menjëherë pas tërmetit nga grupet e ekspertëve të ngritura nga Instituti i Ndërtimit, rezultuan pa dëme strukturore.
Vërtetësia e akt-ekspertizave të thelluara të Institutit të Ndërtimit vihet në dyshim nga ana e KLSH-së dhe duket se në raste të caktuara procedurat e ndjekura nuk janë bërë në mënyrë të saktë dhe të thelluar.
Për 11 institucione arsimore në zonën e Durrësit, Bashkia i kërkoi Komitetit Shtetëror të Rindërtimit që t’i përfshinte ato në planet për rindërtim edhe pse nuk kishte marrë ende të gjitha akt-ekspertizat e thelluara.
Akt-ekspertimet e thelluara të Institutit të Ndërtimit paraqesin një situatë të kundërt me vlerësimet praprake.
Në raportin paraprak të KLSH-së vlerësohet se akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit në fakt nuk janë bërë në mënyrën e duhur dhe nuk përmbajnë gjithashtu një vlerësim financiar të ndërhyrjeve.
Me gjasë mungesa e një vlerësimi të tillë dhe abuzimet e mundshme në këtë drejtim lidhen drejtpërdrejt me vonesat e rindërtimit të shumë prej institucioneve arsimore.
Sipas KLSH, “Procesi i vendimmarrjes, veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart njëkohësisht riskun që të jetë i gabuar”.
Më vonë, vetë Instituti i Ndërtimit pranoi se për shkak të uljes së kostove, kishin negociuar në VKM nr. 26 edhe kryerjen e akt-ekspertizave pa prova.
Në çfarë mase ishin dëmet?
Vlera e përgjithshme e dëmeve dhe humbjeve në sektorin e arsimit vlerësohet në 72.35 milion EUR (8.9 miliardë lekë) me çmimet para katastrofës. Nga kjo, vlera e dëmit (ndaj infrastrukturës dhe aseteve fizike) është 63.59 milionë euro (7.8 miliardë lekë), ndërsa humbjet janë 8.76 milionë euro (1.1 miliardë lekë).
Humbjet kanë të përfshira edhe koston shtesë të transportit për më shumë se 21,000 fëmijë dhe 1,300 mësuesve në shkollat pritëse, e cila do të figurojë derisa të arrihet rindërtimi i plotë i shkollave.
Në kosto tani përfshihet edhe riparimi i51 shkollave pritëse, prishja e ndërtesave dhe heqjen e rrënojave, ngritja e qendrave të mësimit të përkohshëm për më shumë se 1000 fëmijë parashkollorë dhe të moshës shkollore dhe trajnimi i 200 mësuesve për të siguruar mbështetje psiko-sociale.
Sektori publik pësoi 99% të dëmit dhe humbjeve totale ndërkohë që pjesa e dëmeve dhe humbjeve të sektorit privat është e papërfillshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



