Arsim

Prindërit: Fëmijët e fillores jo me turne

Elsuida, një nënë e re e cila qëndron përpara portës së shkollës “Edit Durham” duke pritur vajzën e saj të mbarojë mësimin thotë se ka dashur të nis një punë këtë vit por për të është e pamundur.
“Kemi të njëjtin problem si vitin e shkuar, oraret. Është gjysmë ore mësim dhe nuk ja vlen të ikim në shtëpi e të vijmë prapë.”tregon ajo.
Elsuida e kishte sjellë djalin, që është në klasë të parë, në mëngjes në shkollë në orën 8:00, kishte pritur njëjtë si tani dhe më pas ishte larguar për të marrë vajzën që të vinte përsëri në shkollë.
“Praktikisht mua më shkon paraditja roje tek dera e shkollës, por nuk kam çfarë të bëj se nuk i lë dot vetëm”, shton ajo.
Që prej fillimit të shkollës prindërit në shkolla të ndryshme në kryeqytet janë të shqetësuar për organizimin e orareve.
Prindërit janë shumë të shqetësuar për fëmijët e vegjël të fillores. Ata nuk mund të ikin në shkollë e të kthehen vetë, pa shoqërues.
“Djali im është në klasë të katërt dhe vjen në shkollë pasdite. Do marr të vëllain tani dhe do vij përsëri pasdite këtu. E mira do të ishte që klasat e fillores të ishin paradite në mësim dhe të rriturit të vinin pasdite”, i tha Elsoni Gazetasi.al, një tjetër prind që duhet të kujdeset për vajtje-ardhjen e fëmijëve në shkollë.
Edhe Emelda, një tjetër nënë që pret vajzën e saj në klasën e parë, tregon se ka dy ditë që vajza tjetër në klasë të pestë ka shkuar në turnin e katërt në shkollë. Ajo shprehet se është e pakuptimtë që klasat fillore të bëjnë mësim pasdite. Sipas saj, nëse shkollat 9-vjeçare nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, të kalojnë gjimnazet pasdite sepse janë më të rritur.

Psikologë për fëmijë me të cilët Gazetasi.al ka komunikuar kanë shpjeguar se mësimi me turne ka efekt edhe në psikologjinë e fëmijëve pasi kjo metodikë mësimi përsëritet tek nxënësit nga klasa e dytë. Psikologët kanë shpjeguar se mësimi me turne tek nxënësit në shkollë fillore vështirëson edhe procesin e të nxënit.
Ky vit shkollor duket se do të jetë përsëri i vështirë për prindërit pikërisht për oraret e sipërpërmendura. Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, i ka thënë më herët Gazetasi.al se janë 1760 shkolla që do të vijojë mësimin me dy turne, por 60 prej tyre do të vijojnë mësimin me 4 turne. Procedura e fundit do të ndiqet për shkollat që janë cilësuar si “pritëse”, pra vijojnë të presin nxënës të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 të cilat ende nuk janë rregulluar. Ndërkaq Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi, pas mbledhjes së parë të qeverisë së re ka shpjeguar se skenari i turneve nuk do të jetë deri në fund të vitit shkollor por është parë i arsyeshëm vetëm për fillimin e shkollës ndërkohë që ka shtuar “se rreth 71% e mësuesve janë vaksinuar me dy doza dhe kjo i bën ata më të mbrojtur nga përhapja e virusit dhe sjell më shumë siguri për nxënësit në shkolla”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë