Për kontrollin e makinës dhe impenjimin social, kampioni Ljuis Hemilton kujton Airton Senën, mitin e tij. Në duele është një luan si Najxhell Mansell dhe si Majkëll Shumaker ka shpirtin e madh të një njeriu skuadre.
Të krahasosh Ljuis Hemiltonin me më të mëdhenjtë e së kaluarës është një sugjestion i fuqishëm. Por nëse flasim për numrat, nuk ka asnjë si ai në historinë e Formulës 1, sepse 7 herë kampioni i botës i ka spostuar kufijtë përtej çdo imagjinate. Mjafton të mendosh për 100 fitoret dhe 101 “pole position” e tij. Triumfi në Soçi ka nxjerrë në dritë edhe njëherë cilësitë më të mira të pilotit të jashtëzakonshëm të Mercedesit, që ka shenjuar garat e 15 viteve të fundit, duke u shndërruar në një rokstar planetar edhe jashtë cirkuiteve.

SI SENA — Idhulli i tij ka qenë Airton Sena. “Më pëlqente si garonte në pistë, pasioni që ai kishte për automobilizmin dhe mënyra si përballonte gjithçka i vetëm, me kokën lart, duke luaftuar kundër sistemit. Që i vogël, – ka treguar Hemilton, – doja të bëhesha si ai”. Në fakt, personalitetin anglezi e ka të ngjashëm me brazilianin, me një karizmë të jashtëzakonshme dhe impenjim të fuqishëm social.
Ngjashmëritë e të dyve janë të mëdha edhe në pistë. E njëjta shpejtësi monstruoze në xhirot e kualifikueseve, e njëjta ndjeshëmri e çmendur në kontrollin e makinës në shi dhe e njëjta dëshirë për fitore, një uri pa fund. “Më është kërkuar shpesh për të rinjtë: ‘A e sheh Senën në ndonjërin prej tyre?’. Unë gjithmonë kam thënë se Airton ishte unik, special. Por tani Ljuis ma kujton shumë, — ka thënë Gerhard Berger. – Për mënyrën si vepron në kushte të vështira, në cirkuite rrugore të shpejta, në të thatë dhe në shi, në leximin e garës, në ruajtjen e formës, në politikë. Është i kompletuar, ka personalitet”.

SI LAUDA — Mentori i tij ka qenë Niki Lauda, njeriu që e bindi të linte MekLarenin dhe të vinte bast për Mercedesin, duke hapur një cikël të artë. Nuk mund të ishin më të ndryshëm për moshën, karakterin dhe filozofinë e jetës, por shpirti i garës i ka bashkuar. Lauda ka qenë këshilltari më i çmuar për Hemiltonin. Anglezi, me kalimin e viteve, nisi t’i ngjajë për inteligjencën taktike dhe aftësinë për të administruar situatat në garat më të vështira. Shembulli i fundit është fitorja e së dileës, që ishte perfekte.
SI SHUMAKER — Pika e tij e referimit ka qenë Majkëll Shumaker, piloti që theu të gjitha rekordet e F.1 paar se të vinte Hemilton. Anglezi ka kaluar sukseset e ish-pilotit të Ferrarit. Nëse fiton Botërorin 2021, shkon në 8 tituj kampion, duke kaluar edhe këtë barrierë. Por ngjashmëria e vërtetë me Shumin është në shpirtin e njeriut të skuadrës. Kanë qenë të aftë të ndërtojnë një “dream team”, duke motivuar mekanikë dhe inxhinjierë me shembullin e tyre, falë dedikimit absolut të punës në bokse. “Kur kalova në in F.1, 22 vjeç, kisha talent dhe përqendrim, por jo eksperiencë. Nuk mund ta drejtoja zhvillimin e makinës si tani. Tani, – shprehet Hemilton, – di të jap udhëzime më të sakta për inxhinjierët”.

SI MANSELL – Pilot me zemër dhe aggresivitet. “Nuk jam i dashur sa ai? Ndoshta duhet të lë mustaqe”, – ka thënë me humor Ljuis. Në fakt, i ngjan shumë për grintë në duelet rrotë më rrotë. Ka bërë shumë në karrierë: kundër Alonsos, Batonit, Rosberg, Fetelit, Leklerk dhe Verhstapenit, i ri dhe i fortë. Hemilton nuk është nevrik si Najxhell, por në shumë raste ka ditur të tregojë dhëmbët me beteja të paharruesëhme. Edhe tani që është 36 vjeç, nuk tërhiqet prapa.
SI KLARK — “Alter ego”-ja e tij mund të konsiderohet Xhim Klark, anglezi i Lotusit, idhulli i viteve ‘60, edhe ai i dhënë pas shpejtësisë dhe me një talent hyjnor. I përkëdheluri i Kolin Çapman, ka bërë përmbysje të pabesueshme, si ajo e Italisë në 1967-ën dhe e Amerikës në të njëjtin vit, e mbyllur me rrotën e djathtë thuajse të hequr. Edhe Hemilton ka bërë përmbysje të çmendura: ajo e 2018-ës në Gjermani, nga i 14-ti i pari, duke shtyrë Fetelin në një gabim në asfalt të lagësht. Ljuis e ka imituar Xhimin me një xhiro të fundit me tre rrota që i dha triumfin në Silverston 2020: një arritje rokamboleske e një kampioni të aftë për të mrekulluar deri në infinit.
Pergatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




