Futboll

UEFA ngre flamurin e bardhë, bën nul procedimin ndaj Realit, Barcelonës dhe Juventusit

UEFA ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të ketë masa ndëshkuese kundër Real Madridit, Barcelonës dhe Juventusit, tre klubeve që ende mbështesin projektin e Super Ligës. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, rrezikonte shumë të akuzohej për krim mosbindje dhe në orët e fundit të afatit organi që ai drejton anuloi vendimin e masave ndaj tre klubeve rebele.

Reali, Barcelona dhe Juventusi kishin fituar të drejtën në Gjykatën e Madridit, sipas së cilës, tentativa e UEFA-s për ndëshkime ndaj tyre për faktin se kishin krijuar një kampionat të ndarë, ishte kundër ligjit europian për konkurrencën. UEFA ka shpjeguar se është tërhequr nga masat ligjore dhe se nuk është në interesin e saj dhe të federatave të saj që të përfundojë në gjyqe.

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 28 shtator 2021

Megjithatë, nuk përfundon me kaq. Në komunikatën e UEFA-s bëhet me dije se do të bëhet gjithçka e nevojshme për të shmangur krijimin e një lige të ndarë, duke rezervuar të drejtën për procedim ligjor nëse projekti i Super Ligës, ose çdo projekt i ngjashëm, do të rifillojë.

Në anën tjetër, pak orë pas këtij vendimi, UEFA ka njoftuar se do ta vazhdojë betejën ligjore me Gjykatën e Madridit, me pretendimin se në sentencën e saj ka parregullsi të theksuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë