Futboll

Champions/ Sfidë sheikësh sot në Paris, Milan e Inter në kërkim të fitores së parë

Grupet A, B, C dhe D luajnë sot ndeshjet e dyta në Ligën e Kampionëve. Mbrëmja e sotme sjell disa përplasje interesante, ku veçohet ajo mes miliarderëve të PSG-së dhe Mançester Sitit.

Francezët, pas barazimit zhgënjyes me Bryzhin në ndeshjen e parë, duhet të reagojnë. Trajneri Poketino ka disa mungesa, si Di Maria e Ramos, por në dyshim serioz është edhe Lionel Mesi, i cili mungoi në kampionat javën e fundit. Atmosfera brenda skuadrës është tensionuar jo pak, pas përplasjes mes Mbape dhe Nejmar, ku francezi e quajti brazilianin një “barbon”.

Brahim Diaz dhe De Paul sfidohen sot ne Milano. Gazeta Si, 28 shtator 2021

Pas 7 vitesh luan ndeshjen e parë në shtëpi në kompeticionin madhor të klubeve Milani, që pret në “San Siro” Atletiko Madridin. Një ndeshje shumë e vështirë për skuadrën e Piolit, që synon të marrë pikët e para, pas humbjes në Liverpul. Mungon Ibrahimoviç, por edhe Florenci për kuqezinjtë në këtë sfidë delikate ndaj kampionëve të Spanjës.

Në të njëjtat pozita është edhe Interi, që vjen pas humbjes me Real Madridin në shtëpi dhe duhet të fitojë në fushën e Shakhtarit të De Zerbit. Transferta ukrainase duhet kaluar me sukses nga skuadra e Inzagit, për të mos i komplikuar edhe më shumë llogaritë për kalimin e grupit.

Real Madrid pret sot moldavët e Sherif Tiraspolit, që rrugëtimin e tyre europian e nisën ndaj Teutës së Durrësit. Liverpuli shkon në Portugali për t’u ndeshur me Porton.

Liga e Kampionëve, ndeshjet e sotme
Ora 18:45
Ajaks-Beshiktash
Shakhtar D.-Inter
Ora 21:00
Milan-Atletiko M.
Borusia D.-Sporting
Porto-Liverpul
PSG-Mançester Siti
Lajpcig-Bryzh
Real Madrid-Sherif Tiraspol


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë