Arsim

“Fëmijët po marrin në çantë edhe ankthin e prindërve…” Sa ndikon te ta mësimi me turne?

Ekspertë të shëndetit mendor të fëmijëve ngrenë shqetësimin se mësimi me turne po krijon efekte psikologjike të fëmijët. Dhe, sikur të mos mjaftonte kaq, stresit të tyre i shtohet edhe ankthi normal që kanë prindërit për mbarëvajtjen e tyre në shkollë.
Në shumë shkolla mësimi ka nisur me dy dhe madje katër turne. Fëmijët deri në 12 vjeç këshillohen të mbajnë maska brenda shkollës, ndërkohë që 12 vjeç e lart e kanë maskën me detyrim, duhet të ruajnë distancën sociale, apo të futen në shkollë nën masa të rrepta sigurie… Të gjitha këto padyshim që ndikojnë në psikologjinë e fëmijëve të cilët tashmë janë në vitin e dytë të një viti shkollor ndryshe për shkak të pandemisë.

“Janë dy pyetje të cilat më ngacmojnë. Së pari: A janë përgatitur psikologjikisht fëmijët për panoramën e shkollës këtë vit? Duket sikur janë bombarduar me porosi, por ndërkohë po fusin në çantë edhe ankthin e prindërve. Ajo çfarë duhet të bëjnë prindërit është të pyesin fëmijët si ndihen dhe çfarë mendojnë. Është fakt shqetësimi i prindërve se ku do t’i lënë fëmijët pas shkollës, megjithatë, mirëqenia psikologjike, duhet të jetë prioritet më vete. Shqetësimi i dytë lidhet me mësuesit. Sa do të jenë në gjendje mësuesit të ruajnë qetësinë dhe kontrollin e klasës. Sa ndikon në performancën e tij, puna me katër turne përballë nevojës për t’i mbështetur psikologjikisht fëmijët në kushte të tilla?”, thotë Nereida Llaha, psikologe dhe drejtuese e Qendrës Psikosociale “Filizat”.

Nereida Llaha, psikologe

Llaha thotë se ndryshe nga viti i kaluar, te fëmijët ndjehet një përshtatje deri diku me kushtet e mësimdhënies në kohë pandemie.

“Ajo që mbetet ende një problematikë është shqetësimi i prindërve për qëndrimin e fëmijës pas shkollës”, thotë ajo, teksa shton se shumë prej prindërve kanë zgjedhur si opsion qendrat passhkollore. Kjo për shkak edhe të mësimit me turne deri në orë të vona.

Është kosto për prindërit, por edhe lodhje për fëmijët, të cilët duhet ta nisin ditën në orën 7 e të kthehen në shtëpi, disa prej tyre pas orës 17:00. Pra kjo situatë, thotë Llaha, sjell kosto fizike dhe ekonomike për prindërit dhe fëmijët.

“Në qendrën tonë, ne aplikojmë teknika të relaksimit, loja është e strukturuar dhe programi i përshtatur me moshën, natyrën e fëmijës pa lënë mënjanë aktivitetet për të zbutur sado pak efektet psikologjike të fëmijëve nga pandemia, nëpërmjet terapisë së artit dhe lojës”, shprehet Llaha.

Po ata që nuk i kanë mundësitë për të paguar për këtë shërbim? Faktori ekonomik, social dhe arsimor bën që prindërit ta përballojnë këtë situatë përjetime ankthi. “Rrjedhimisht ky ankth transmetohet te fëmijët duke e bërë më të vështirë kapërcimin me sukses të kësaj situate”, thotë psikologia.

Llaha shprehet se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm për të kuptuar gjendjen emocionale të fëmijës. “Qëndroni me ta, pyetini “Si u ndjeve sot” dhe jo “Si kalove”, flisni për pengesat dhe frikërat. Mundohuni që ankthin dhe merakun tuaj ta kanalizoni jashtë fëmijëve”, thotë ajo.

Eriselda Metaj, psikologe shkolle në Shkollën 9- vjeçare “Pjetër Budi”, Tiranë, thotë se vështirësia kryesore me të cilën nxënësit që zhvillojnë mësimin me turne përballen, është ndjekja e mësimit me orar të reduktuar. Ky faktor vështirëson në një farë mënyre edhe procesin e të nxënit.

Eriselda Metaj, psikologe shkolle

“Disa nxënës do e zhvillojnë mësimin në orët e pasdites, orar në të cilin vështirësia është më e ndjeshme për shkak se nxënësit mund të kenë vëmendje dhe përqendrim më të ulët gjatë këtij orari, si pasoje e lodhjes nga dita, “duke rezultuar në këtë mënyrë në një produktivitet më të ulët”, thotë ajo.

Metaj shprehet për Gazetasi.al se një vështirësi tjetër për nxënësit është dhe kufizimi i socializimit me bashkëmoshatarët, pasi duke qenë se orët mësimore janë të reduktuara, fokusi kryesor në shkolla kalon tek mësimdhënia dhe mësimnxënia. “Gjate kësaj periudhe nxënësit përjetojnë gjithashtu ngarkesë të shtuar në rrafshin psiko-emocional, që vjen si pasojë e ndryshimeve rrënjësore që rutinat e tyre të mëparshme kanë pësuar”, thotë psikologia.

Sipas saj, nxënësit edhe një vit më parë iu nënshtruan pak a shumë të njëjtave rutina dhe një element pozitiv është se ata janë të njohur tashmë me këtë situatë dhe me mënyrën si ajo funksionon. “Por nga ana tjetër, – thotë Metaj -, tek ta ishte krijuar pritshmëria që normaliteti do të kthehej shumë shpejt dhe zgjatja e situatës së pandemisë e sidomos ndikimi i saj në shkollë ka qenë një situatë e paparashikuar dhe për rrjedhojë ka sjellë rritje të tensionit psikologjik”.

“Ngarkesë të shtuar në këtë periudhë kanë dhe prindërit, të cilët duhet të koordinojnë rutinat e tyre me të fëmijëve, gjë e cila nga raportimet dhe bisedat me ta nuk është e lehtë”, thotë Metaj.

E këshillueshme për prindërit në këto rrethana – thotë ajo – është t’u krijojnë rutina sa më të shëndetshme fëmijëve të tyre, duke ndërthurur orët e pushimit me orë aktiviteti, kryesisht në ajër të pastër. Këto rutina janë veçanërisht të rëndësishme për fëmijët që do të zhvillojnë mësimin pasdite duke qene se si pasoje e lodhjes mund të shfaqin problematika me përqendrimin, vëmendjen etj.

“Pasja e disa rutinave të shëndetshme në këtë periudhë do të ishte shume e rëndësishme, pasi do të ndihmonte ne tejkalimin e situatës në mënyrë pozitive dhe të parashikueshme”, shprehet psikologia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë