Këtë të hënë shumë fëmijë janë rikthyer në shkolla dhe shumë të tjerë kanë nisur klasën e parë. Janë rreth 480 mijë nxënës në sistemin parauniversitar që edhe këtë vit të ri shkollor do të vijojnë mësimin me turne.
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, i tha Gazetasi.al se janë 1760 shkolla që do të vijojë mësimin me dy turne, por 60 prej tyre do të vijojnë mësimin me 4 turne. Procedura e fundit do të ndiqet për shkollat që janë cilësuar si “pritëse”, pra vijojnë të presin nxënës të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 të cilat ende nuk janë rregulluar.
“Në këto shkolla nxënësit do të bëjnë mësim pasdite”, shpjegoi më tej Ministria.
Viri i ri shkollor duket se përsëri do të jetë sfidues për prindërit. Gazetasi.al komunikoi me shumë prej tyre, të cilët ishin të pakënaqur që po i riktheheshin turneve.
“Për këtë pjesë duhet të kishin marrë masa më parë sepse nuk vazhdohet kështu. Unë i bie që një dite të shkoj në orën 10:00 në punë dhe një ditë tjetër të shkoj në orën 13:00 sepse nuk kam dikë që t’ma marrë fëmijën nga shkolla,” tregon Sanija, një prej prindërve që qëndron pranë derës së shkollës “Kongresi i Manastirit” në pritje që djali i saj të futet në shkollë.
Ndërkaq mësimi me turne është një problematike edhe për prindërit që kanë fëmijë në klasa të ndryshme.
“Në orën 08:00 sjell vajzën në klasën e dytë, pastaj duhet të iki të marr djalin i cili është në klasë të gjashtë dhe fillon mësim në 10:00. Është një lëmsh i madh me këto turnet,” shpjegon Arbeni, një tjetër prind i cili i tregoi Gazetasi.al më tej se vitin e shkuar, bashkëshortja e tij ishte detyruar të linte punën vetëm për të qenë në rregull me oraret e fëmijëve në shkollë!
Një tjetër çështje thelbësore që i shqetëson prindërit është edhe vaksinimi i mësuesve.
Disa prindër i thanë Gazetasi.al se përpara një jave atyre iu ka arritur udhëzimi se duhet të plotësojnë një formular nëse ata dhe familjarët janë të vaksinuar, por ata nuk kanë marrë mbrapsht një konfirmim për vaksinimin e mësuesve.
“Unë nuk e di nëse mësuesja e vajzës time është vaksinuar. E kam pyetur po nuk me ka kthyer asnjë përgjigje,” tha njëri prej prindërve i cili qëndronte përballë shkollës “Vasil Shanto” në pritje që të merrte vajzën.
Në kuadër të zbatimit të masave anti-Covid-19 në shkolla, më herët në protokollin e Ministrisë së Arsimit është përcaktuar se mësimi do të jetë për secilën klasë nga 30 minuta, duke anashkaluar kështu qëndrimin në ambient të mbyllur për orë të gjata. Nxënësit nuk do të kenë mundësi të bëjnë as pushim të gjatë dhe do të hyjnë e dalin nën masat strikte mbi higjienën. Gazetasi.al gjatë vëzhgimit të saj në disa shkolla 9-vjeçare konstatoi gjithashtu që masat anti-Covid respektoheshin në momentin që nxënësit hynin në shkolla, por jashtë oborrit krijohej grumbull prindërish dhe nxënësish që prisnin për të hyrë brenda dhe shumë pak prej tyre mbanin maska dhe distancën sociale.
Gazetasi.al pyeti pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Para universitar nëse kanë ndonjë zgjidhje për zhvillimin e mësimit nëse kanë shumë ankesa për turnet nga prindërit, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)

















