Me largimin e Kristiano Ronaldos, në sulmin e Juventusit u hap një gropë e madhe dhe ardhja e Moise Kean, me atë që është parë deri tani, nuk mund ta mbushë atë. Drejtuesit e klubit torinez janë duke punuar që tani për një tjetër goditje më të rëndësishme në sulm.
Shtypi sportiv italian, me në krye “Tuttosport”, ka zbuluar se emri i parë në listë është ai i Dushan Vlahoviç, sulmuesit të Fiorentinës që ende nuk ka rinovuar me klubin nga Firence. Është një pistë qartësisht më e realizueshme në krahasim me ato që të çojnë te Haland dhe Mbapë. Së pari, sepse ka një kosto më të lirë.

Kilian Mbape është shumë i shtrenjtë, ndërsa për Haland, siç bën me dije “The Time” në Angli, gjithçka duket e mbyllur sa i takon transferimit të sulmuesit norvegjez te Real Madrid. Në këto kushte, Vlahoviç shihet si alternativa më e mirë për të forcuar sulmin bardhezi. Serbi 21-vjeçar ka pasur një ecuri shumë të mirë te Fiorentina dhe duket gati për kalimin në një klub më të madh.
Kohët e fundit, emri i Dushan Vlahoviç është përmendur edhe në merkaton e Milanit dhe Interit, por Juventusi në këtë moment po e ndjek me më shumë seriozitet këtë futbollist. Ndoshta që në merkaton e janarit do të ketë zhvillime konkrete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




