Motosport

Ljuis Hemilton është magjistar i shiut, në Rusi arrin shifrën e 100 fitoreve

Një tjetër garë rokamboleske në Soçi, ku shiu në fund nxorri jashtë piste Norris, i cili komandonte. Feston Hemilton që rrumbullakos shifrën e fitoreve në Formula 1. Në pod edhe Vershtapen, i cili u nis nga fundi, ndërsa i treti u rendit një Sainz i jashtëzakonshëm.

Pas gati dy muajsh “agjerim”, Ljuis Hemilton ka fituar Çmimin e Madh të Rusisë, që është edhe triumfi numër 100 në karrierë për kampionin e botës në F1. Norris, protagonist i garës, ka paguar vendimin për të mos ndërruar gomat e thata pas nisjes së shiut. Për Hemiltonin kjo garë shihej si një pikë kthese e sezonit, me 5 pikë për të rikuperuar ndaj Vershtapenit në një pistë të dashur si kjo e Soçit, ku ka triumfuar Mercedesi në të shtata garat e zhvilluara aty që nga 2014-a.

Përcaktues në këtë garë ishte faktori-goma, me zgjedhjen fillestare për të pasur një pit stop sa më vonë. Vershtapen e nisi garën me goma të forta, kurse Hemilton me goma të mesme. Hemilton nuk e nisi mirë garën dhe përfundoi i shtati, ndërsa në xhiron e tretë nisi dueli i parashikuar mes Botas që u nis i 16-i dhe Vershapenit, që kishte rikuepruar disa pozicione. Me markimin e finlandezit, holandezi kishte një ritëm të limituar deri në xhiron e 6-të, kur e kaloi atë.

Në xhiron e 13-të, Norris parakaloi Sainzin. Vështirësitë e Hemilton ndërkohë kanë të bëjnë 6 sekondat e avantazhit ndaj Vershtapen, protagonist i xhiros më të shpejtë. Anglezi nuk kishte hyrë ende në bokse për ndërrimin e gomave dhe kështu u ngjit deri në vend të dytë, kurse Vershtapen rikuperoi deri te vendi i 5-të. Sainz, pas ndërrimit të gomave, doli në pistë i 10-ti.

Pas xhiros së 27, Vershtapen hyn në bokse dhe u kthye në pistë i 12-i me goma të mesme, por në mes të trafikut, çka do të rezultojë një gabim i pafalshëm i skuadrës, që mund ta mbante holandezin në pistë me goma të forta edhe për shumë xhiro të tjera. Hemilton doli nga bosket në vend të 9-të dhe nisi një garë brenda garës që e çoi drejt kreut me një ritëm surprizues. 20 xhiro para fundit, anglezi ecte 2 sekonda më shpejt se të gjithë në pistë dhe ishte 6 sekonda nga Norris. Para tyre ishin vetëm pilotë ende pa pit stop që lironin fushën.

Piloti i Mercedesit shfrytëzoi gomat e forta, Norris mbrojti vendin e parë, kurse Vershtapen ishte i ngadaltë me goma të mesme dhe mbante vendin e 13-të. Gara mori rrugën e një dueli Meklaren kundër Mercedesit. Qarku u mbyll në xhiron e 47-të, me pikat e para të shiut në pistë. Norris rezistoi dhe ecte në limite, ndërsa 5 xhirot e fundit ishin të rrezikshme.

Norris qëndroi në pistë, kurse Hemilton hyri në bokse për të vendosur gomat e mesme dhe u kthye në vend të dytë, me 25 sekonda vonesë, duke luajtur kështu ndeshjen e tij ndaj Verhstapen, në vend të 6-të. Në xhiron e 51-të Norris doli nga pista dy herë dhe kompromentoi garën. Hemilton mori kryesimin, Norris humbi disa pozicione dhe u kthye në bokse. Në xhiron e fundit Hemilton është i pari, Vershtapen i dyti dhe Sainz i treti. Fitorja shkon për anglezin në këtë pistë miqësore për të, kurse holandezi bën një tjetër garë për manual.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë