Kosova

Isa Mustafa thirrje krerëve të shtetit të vijnë në Kosovë: Situata në veri serioze, të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka kërkuar që të mblidhet Këshilli i Sigurisë për shkak të situatës në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se situata në veri është tepër serioze dhe e rrezikshme.

Sipas tij, në një situatë të tillë, krerët e shtetit duhet të jenë në Kosovë.

“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë, Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mesazhe, njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se presidentja duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë dhe të ndërmerren masat e nevojshme.

“Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë