Mbi 30 mijë fëmijë do të fillojnë për herë të parë shkollën këtë vit në vendin tonë sipas numrit të atyre që janë regjistruar për në klasë të parë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, kjo shifër pritet të shtohet në vijim edhe me rreth njëmijë nxënës të tjerë, megjithatë ende nuk ka një shifër të saktë të fëmijëve, që do të frekuentojnë këtë vit klasën e parë.
Burime nga Ministria e Arsimit pohojnë se regjistrimi për këtë kategori nxënësish ka ecur mirë dhe edhe para një viti ka qenë thuajse i njëjti numër fëmijësh, të cilët kanë frekuentuar për herë të parë shkollën.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, në numrin e nxënësve të regjistruar nuk ka pasur ndikim situata e krijuar me pandeminë apo rregulli i vendosur disa muaj më parë, që regjistrimi për në klasë të parë do të kryhej vetëm nëpërmjet portalit e-albania.
“Diçka e tillë ndikoi vetëm fillimisht, kur njerëzit nuk ishin ambientuar ende me portalin dhe regjistrimin online, por kur portali u hap për së dyti pati goxha regjistrime dhe frekuentim të mirë nga ana e prindërve”,- shprehen për Gazetasi.al përfaqësues të Ministrisë.

Ata pohojnë se shumica e regjistrimeve janë kryer pikërisht nëpërmjet portalit ndërsa problem me regjistrimet kanë pasur një numër i kufizuar nxënësisht, kryesisht në familje të varfëra të komuniteve rom dhe egjiptian.
“Këta prindër janë asistuar që të bëjnë regjistrimin e fëmijëve online dhe në raste kur nuk ka qenë e mundur diçka e tillë regjistrimet janë kryer fizikisht nëpër shkolla. Edhe shifra prej rreth njëmijë fëmijësh ende të paregjistruar për në klasë të parë i përkasin kryesisht këtij komuniteti”,- nënvizojnë burime nga Ministria e Arsimit.
Ata shtojnë se regjistrimi online është një lehtësim i madh dhe një mënyrë e mirë për sa i përket regjistrimit në shkolla në mënyrën e duhur dhe ky vit tregoi se praktika ishte e suksesshme.
“Një vit më parë ne e zbatuam këtë projekt pilot në dy apo tre shkolla, ndërsa këtë vit në 186 shkolla. Vitin tjetër me shumë gjasë diçka e tillë do të zbatohet në të gjithë Shqipërinë.”, pohojnë përfaqësuesit e MASR-së për Gazetasi.al.
Në fund të muajit qershor CRCA/ECPAT vërejti se mbi 3600 fëmijë rrezikonin të mbeteshin pa shkollë këtë vit pas vendimit të qeverisë për regjistrimin online të fëmijëve në klasën e parë.
“Shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se në Shqipëri 16.7% e familjeve apo mbi 140.000 familje në Shqipëri nuk kanë ende akses në internet.
Gjatë vitit 2020, vetëm 83.3% e familjeve shqiptare kishin akses në internet, krahasuar me 82.2% një viti më parë. Nëse marrim për bazë vetëm statistikat zyrtare, qeveria shqiptare ka pranuar se le jashtë skemës së regjistrimit thuajse 17% të familjeve dhe fëmijëve të tyre.
Vendimi më i fundit i Qeverisë duket qartazi që në gjendjen aktuale le jashtë të drejtës së arsimimit të gjithë fëmijët që jetojnë në varfëri, ata që i përkasin minoritetit Rom dhe Egjyptian dhe ata që ndodhen në zona të thella të Shqipërisë, ku përdorimi i internetit është shpesh i paarritshëm.”,- theksohej mes të tjerash në deklaratën e bërë publike.
Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



