Sociale

Nga e hëna hyn në fuqi certifikata e vaksinimit. Studentët e pavaksinuar, mësim online

Të hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.
“Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët. Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pa vaksinuar,” shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga Covid-19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tregoi se interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga personeli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.
“Në këto dy muaj kemi pasur një interes të shtuar sa i përket vaksinimit, edhe shihet që ka një interes të shtuar të studentëve. Për sa i përket arsimtarëve, janë mbi 80% e tyre që e kanë kryer dozën e parë të vaksinës, edhe mbi 60 për qind e tyre janë vaksinuar plotësisht”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,683,644 vaksina dhe 754,020 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat. Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë