Politike

Llalla “non grata” në SHBA, Kim: Drejtësia u shërbye! Prokurorët të mos ndalen

Ambasadorja Yuri Kim ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për dënimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla me dy vite burg, konfiskim pasurie dhe 5 vite përjashtim nga sistemi i drejtësisë.

“Më vjen mirë të shoh drejtësinë që shërbehet ndaj zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të veprojnë kundër zyrtarëve, pavarësisht se sa të fuqishëm e pushtetshëm janë, që keqpërdorin pozicionin për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin!”, shkruan Ambasadorja.

Saga e proceseve gjyqësore ndaj Adriatik Llallës u mbyll këtë të mërkurë me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Në vitin 2018, ish-kryeprokurori u bë zyrtari i parë i lartë shqiptar i shpallur publikisht non grata nga Departamenti i Shtetit.

Arsyetimi i vendimit të DASh ishte për “përfshirje në afera korruptive madhore”. Llallës iu ndalua familjarisht hyrja në SHBA. Hetimet ndaj tij për fshehje pasurie nisën fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, për të vijuar më pas te Krimet e Rënda dhe përfunduar te SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë