Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili akuzohet për fshehje dhe mos deklarim të pasurisë.
Ndaj tij mbetet në fuqi vendimi për dënimin me 2 vjet burg dhe heqje e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike deri në 5 vjet. Llalla bëhet kështu zyrtari i parë më i lartë shqiptar që dënohet me vendim të formës së prerë nga një gjykatë.
Vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm, por duhet të pritet të zbardhet nga gjykata, pastaj të dalë urdhër-ekzekutimi që i dërgohet policisë.
Nëse Llalla nuk gjendet në adresën e caktuar për t'u ekzekutuar mandati i arrestit, atëherë ai shpallet në kërkim, përfshirë dhe një urdhër-kërkimi ndërkombëtar nëse rezulton të ketë kaluar kufirin shqiptar.
Në fakt, gjatë dhënies së vendimit Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm në sallë. Ndërkohë, avokati i tij Sokol Hazizaj, e ka cilësuar vendimin të padrejtë, duke theksuar se nuk ka dijeni se ku ndodhet klienti i tij.
Hazizaj shtoi se ka informacion që Llalla është në regjim spitalor, por pa specifikuar nëse ndodhet në Shqipëri apo jashtë saj. “Unë kam komunikim vetëm sa i takon anës proceduriale dhe jo shëndetësore”, - tha avokati.
Krahas dënimit, Apeli la në fuqi dhe vendimin për konfiskimin e katër pasurive të ish-kryeprokurorit, konkretisht një apartament në Durrës dhe tri sipërfaqe tokë arë.
Avokati i tij pretendoi gjithashtu se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria.
Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e "fshehjes së pasurisë", "shpërdorimit të detyrës" dhe "pastrimit të parave", por më pas ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të pasurisë".
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Mes të tjerash, ai është i pari ish-zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Amerikë.
Në këtë listë janë përfshirë edhe ish-deputeti Tom Doshi, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe së fundi dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.