Prokurori Dritan Gina është shkarkuar nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë gjatë një seance ku nuk ka munguar tensioni.
Ai nuk ka qenë i pranishëm gjatë dhënies së vendimit, pasi nuk u lejua nga forcat e sigurisë së Gardës për të hyrë për shkak se nuk kishte me vete mjet identifikimi. Një masë që zbatohet për të gjithë personat që marrin pjesë në seancat e KPK-së.
Pikërisht për këtë arsye ai është përplasur me ta dhe ka tentuar të futet në seancë me dhunë, por sërish nuk është lejuar.
Në fotot dhe videon e siguruar nga Gazetasi.al, ai është zmbrapsur me forcë nga rreth 5 oficerë të Gardës, të cilët e kanë nxjerrë jashtë.
Gina u shkarkua këtë të mërkurë pas 8 seancash nga KPK. Vendimi i Komisionit të Vettingut, vjen pas dy muajsh përpjekje për të shmangur përballjen ligjore me anë të raporteve mjekësore dhe kërkesën për përjashtim të anëtarëve të trupit gjykues.
Prokuroi i Tiranës Dritan Gina, i akuzuar për gjobëvënie si dhe i skeduar nga SHISH për përfshirje në praktika korruptive, ka pasur të njëjtin fat si të bashkëshortes së tij, Rovena Gashi, e cila u shkarkua në korrik të 2018 si prokurore pasi bashkë me babanë e saj, pasi nuk justifikonin një pasuri me vlerë rreth 930 mijë USD.
Komisioni konstatoi si pasuri problematike një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Tiranë. Këtë pasuri, Dritan Gina ka deklaruar se ia ka dhuruar vjehrri në vitin 2004. Apartamenti kishte vlerë rreth 34 mijë euro.
Por, nga hetimi ka rezultuar se kontrata me shoqërinë ndërtuese ishte nënshkruar nga Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, duke paguar edhe detyrimin monetar. Sipas KPK-së, çifti nuk kishte burime të ligjshme të ardhurash për të blerë këtë apartament.
Në vitin 2011, prokurori Dritan Gina ka blerë një apartament në Durrës tek “Shkëmbi i Kavajës”, me sipërfaqe 105 m2, me vlerë 88 mijë USD. Nga ky çmim, Gina tha se shitësi i kishte ulur atij 35 mijë euro pasi e kishte shok.
Megjithatë, KPK-ja konstatoi se Gina kishte mungesë të ardhurash të ligjshme në vlerën 19 mijë USD për të përballur blerjen e këtij apartamenti.
Gina e kundërshtoi këtë konkluzion, duke pohuar se ishte i vetmi nga radhët e prokurorëve që kishte deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e kësaj pasurie.
Gina akuzoi këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë të KPK-së se kanë krijuar tymnajë rreth pasurisë së tij.
Dritan Gina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjës.
Më pas, ai e ushtroi funksionin si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe prokuror në Tiranë.
Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit nisi një procedim për fshehje të pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.