Në një intervistë për “Autosport”, Ljuis Hemilton ka folur për incidentin që nxorri jashtë garë atë dhe Maks Vershtapen në mes të garës së Italisë. Asgjë nuk ndryshoi në garën e titullit mes të dyve, por do t’u kushtojë tre pozicione në nisjen e Çmimit të Madh të Rusisë, që zhvillohet në fund të shtatorit në Rusi, në Soçi, etapa e radhës e një sfide që bëhet gjithmonë e më e ndezur.
“Jam shumë dakord me vendimin e komisarëve të garës. Mendoj se duhet pak kohë për të analizuar, por me siguri ajo që ndodhi krijon një precedent. Dhe besoj se është një precedent i rëndësishëm për sigurinë e pilotëve. Janë disa rregulla të forta që duhen respektuar.
Gjëra të tilla do të përsëriten derisa të mësojmë nga ajo që ndodh në pistë. Personalisht, nuk kam asnjë histori me këto lloj incicentesh. Kur mësohesh më të tilla gjëra, atëherë do ta bësh sërish”, – ka thënë Hemilton, duke shigjetuar rivalin e tij, Vershtapen.
“Jemi të gjithë në limit. Çdo pilot kërkon të mbajë trajektoren e tij. Kur hyn në kthesë rrotë më rrotë dhe makina afër teje është ngjitur nga ana e jashtme, atëherë duhet t’i lësh hapësirë ekstra. Ka një rregull të njohur që thotë se piloti që gjendet përpara, ka të drejtën e trajektores në kthesë dhe tjetri duhet ta lejojë.
Duhet të analizojmë çfarë ndodhi që të merren vendimet e duhura. Askush nuk dëshiron të bëjë keq dhe nëse arrijmë të vëmë në jetë një protokoll më të mirë, në të ardhmen mund të evitojmë gjëra të tilla”, – ka shtuar kampioni i botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




