Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, shkruan në një postim në Facebook se në Shqipëri ka rektorë të zgjedhur me tituj akademik të fituar me plagjiaturë.
“Anti-plagjiatura është çelësi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në vitin 2020, kur universitetet publike në Shqipëri përzgjodhën udhëheqësit e rinj, si ministre e arsimit pata kërkuar që kandidatët për rektorë të bëjnë verifikimin e punimeve të tyre akademike përmes platformës digjitale anti-plagjiaturë, të cilën e siguruam për universitetet me buxhetin publik.
Ideja ishte që pas rektorëve, kontrolli do të zbatohej për gjithë hierarkinë akademike, deri në zhdukjen e plagjiaturës nga universiteti publik.
Rektorët refuzuan këtë proces pasi disa nuk mund ta kalonin kontrollin, ndërsa të tjerët e kishin më të rëndësishëm kolegjialitetin me kolegët se sa zhdukjen e kësaj sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë përbrenda’, shkruan ajo, duke sqaruar se pse nuk ndërhyri para këtij fenomeni.
“Qeveria nuk kishte mundësi ligjore t’i detyronte, duke qenë se ligji i arsimit të lartë i jep autonomi të plotë akademike universiteteve dhe nuk lejon ndërhyrje nga jashtë. Si rezultat, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara.
Po shkruaj sot për këtë pasi që qeveria e Shqipërisë paska rinisur përpjekjen për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, duke sugjeruar edhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ky është lajm shumë i mirë dhe vjen në një moment kur Partia Socialiste ka mandat të qartë qeverisës dhe mundësi për të bërë ndryshimin e duhur.
Duhet bërë kujdes: kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura”, thotë ajo duke nënvizuar se asnjë rektor, dekan apo shef departamenti, të mos zgjidhet pa kaluar nëpër kontrollin anti-plagjiaturë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



