Njerez

Koronavirusi i merr jetën fizioterapistit të kombëtares shqiptare, Ylli Mihali

Koronavirusi i ka marrë jetën në moshën 55-vjeçare fizioterapistit të kombëtares shqiptare të futbollit, Ylli Mihali. Ai kishte dy javë i intubuar në Spitalin Infektiv dhe për fat të keq nuk ia doli të mbijetojë, edhe pse i kishte marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid, “Pfizer”.

Para ndeshjes së kombëtares me Hungarinë në “Elbasan Arena”, futbollistët kuqezinj mbanin veshur fanella që inkurajonin Mihalin të mos dorëzohej. Ylli Mihali ka qenë pjesë e stafit të kombëtares së futbollit prej 30 vjetësh.

Futbolli shqiptar ka marrë sot një lajm shumë të trishtë: Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares, ka humbur betejën me Covid-19.

Një lajm që menjëherë ka mbushur me mesazhe ngushëlluese rrjetet sociale, sepse Ylli i tillë ishte, ishte një njeri i dashur për të gjithë, jo vetëm për komunitetin e futbollit.

Njeriu i papërtuar dhe që transmetonte pozitivitet te çdo sportist dhe në çdo moment.

Një jetë pranë futbollit, pranë klubit të Tiranës dhe plot 27 vite me ekipin kombëtar, duke kontribuuar në rehabilitimin fizik të sa e sa lojtarëve të brezave të ndryshëm.

Përveç profesionalizmit të nivelit të lartë, të gjithë kanë vlerësuar Ylli Mihalin për anën njerëzore. Ai ishte i gatshëm në çdo moment, duke sakrifikuar edhe nga jeta e tij familjare. Një humbje vërtet e madhe për Kombëtaren dhe futbollin.   

Reagimi i presidentit të FSHF-së, Duka

Ka reaguar pas lajmit edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në faqen e tij në Facebook ka bërë këtë postim.

“Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje të gjatë e stërmunduese me Covid-19. Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në ҫdo situatë. Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë