Bota

Biden urdhëron vaksinimin e detyrueshëm të miliona amerikanëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli masa të reja kundër koronavirusit, që kërkojnë nga punëtorët në kompani të mëdha të vaksinohen. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden kritikoi miliona amerikanë që ende nuk janë vaksinuar, pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave dhe variantit Delta.

“Ne kemi pasur durim, por durimi ynë po zvogëlohet. Refuzimi juaj na ka kushtuar të gjithëve”, tha Biden, duke vënë në dukje se shumica dërrmuese e rasteve të rënda janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar.

Urdhri që detyron vaksinimin do të zbatohet për punonjësit e degës ekzekutive, përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe të gjitha agjencitë federale dhe anëtarët e shërbimit të forcave të armatosura amerikane, një fuqi që numëron më shumë se 4 milionë persona, por jo për ata persona që punojnë për Kongresin ose sistemin e gjykatave federale, sipas një personi në dijeni të këtyre planeve.

Përhapja e variantit shumë infektues ka rritur shifrat mesatare ditore të rasteve në vend në mbi 150,000 për herë të parë që nga fundi i janarit, duke tejmbushur spitalet në zonat e goditura rëndë dhe duke shkaktuar vdekjen e rreth 1,500 njerëzve në ditë.

Zoti Biden, i cili u informua nga ekipi i tij i këshilltarëve lidhur me çështje të koronavirusit të mërkurën pasdite, pritet të mbajë një fjalim sot (e enjete) në orën 5 pasdite. Ai pritet të trajtojë rreth gjashtë fusha ku administrata e tij mund të inkurajojë ose, në këtë pikë, të nxisë më shumë amerikanë në moshë ligjore për t’u vaksinuar kundër COVID-it, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët ofruan disa specifika, duke theksuar se plani ishte ende duke u përpunuar. Por dy zyrtarë në dijeni të tij thanë se ai do të përfshinte kërkesa të reja federale për vaksinimin dhe se mesazhi i tij themelor do të ishte se: mënyra e vetme për t’u kthyer tek një ndjesi e normalitetit, ishte vaksinimi i sa më shumë njerëzve.

“Ne e dimë se rritja e vaksinimeve do të ndalojë përhapjen e pandemisë, do ta vendosë atë nën kontroll, do t’i kthejë njerëzit në jetën normale”, u tha gazetarëve të mërkurën Jen Psaki, sekretare e shtypit të Shtëpisë së Bardhë. “Ky është qëllimi ynë, kështu që ne duam të jemi specifikë për atë që po përpiqemi të arrijmë”, tha ajo.

Vendimi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave muajin e kaluar për të dhënë miratimin e plotë për vaksinën e koronavirusit të prodhuar nga kompania Pfizer/BioNTech ka bërë tashmë që Pentagoni të kërkojë që trupat ushtarake të vaksinohen. Zoti Biden tha në atë kohë kur u mor vendimi, se miratimi i vaksinës duhet të fshijë çdo dyshim të vazhdueshëm në lidhje me imunizimin si dhe të nxisë vendosjen e më shumë urdhrave për vaksinim të detyruar.

Zyrtarët e administratës po shohin shenja që tregojnë se gjithnjë e më shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë të hapur për t’u vaksinuar. Rreth 14 milionë kanë marrë dozat e tyre të parë në gusht, katër milionë më shumë se në korrik, tha zonja Psaki. Por sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rreth 27 për qind e popullsisë në kufirin e ligjshëm të moshës për t’u vaksinuar nga 12 vjeç e lart nuk kanë marrë asnjë dozë. Në disa nga shtetet më të goditura më rëndë, përqindja e pavaksinuar e popullësisë është më e lartë: 42 për qind në Teksas dhe 38 për qind në Florida.

Rreth 1.3 milionë njerëz të vaksinuar plotësisht kanë marrë një dozë të tretë pasi zyrtarët federalë e miratuan dhënien e tyre për njerëzit me sistem imunitar të dobët. Zoti Biden ka mbështetur publikisht idenë e zgjerimit të disponueshmërisë së dozave të treta për një pjesë më të madhe të popullsisë, por ekspertët e shëndetit kanë këshilluar Shtëpinë e Bardhë që të mos e reklamojnë këtë çështje tani për tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë