Certifikata e vaksinimit që marrin shqiptarët pasi të jenë vaksinuar do të njihet edhe nga sistemi i Bashkimit Europian. Gjatë një vizite në Qendrën Shëndetësore numër 1 Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se po punohet në këtë drejtim dhe do të ketë një vendim brenda datës 15 shtator.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria është ndër të paktit vende në rajon që nuk është në listën e vendeve me rrezik të lartë për përhapjen e Covid-19 e përpiluar nga BE. Sipas kryeministrit kjo ka ndodhur për shkak të procesit të shpejtë të vaksinimit.
Gjatë vizitës së përbashkët në qendër Ministrja Manstirliu u shpreh se nga 1 shtatori ka rifilluar edhe kontrolli mjekësor bazë për personat 35-70 vjeç, në çdo qendër shëndetësore.
Mjeku në ISHP Alban Ylli shtoi se rifillimi i kontrollit bazë ishte i domosdoshëm të rikthehej, pasi është tejet kosto-efektiv dhe do të ndihmojë në raport me monitorimin e shëndetit të popullatës, por edhe për gjendjen postcovid të qytetarëve.
Më tej Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu, apeluan për vaksinimin masiv, duke theksuar edhe detyrimin për vaksinimin ndaj COVID19 për studentët, mësuesit, pedagogët, si kusht për të qenë në auditore.
“Në auditore do të hyjnë ata që vaksinohen. Sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit, apo që jetojnë me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme. E njëjta gjë vlen për mësuesit, e njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët”, apeloi kryeministri
Ministrja Manastirliu tha se gjatë muajit të hapur të vaksinimit ka një rritje të interesit nga të rinjtë, duke theksuar se plani i vaksinimit do të vijojë edhe në universitete apo konvikte. Ministrja e Shëndetësisë shtoi se do të vijojë ardhja e sasive të konisiderueshme të vaksinave sipas kontratave. Brenda muajit Dhjetor numri i vaksinave të mbërritura në vendin tonë do të jetë mbi 3 milion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.