Treg

Konsumator, të ruajtë Zoti!

Çmimi i bukës në Tiranë u rrit befas me 10 deri në 20 lek, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të bizneseve të prodhimit të brumrave, bukës dhe pastiçerive paralajmëruan se rritja do të ndodhë në të gjithë vendin.

Shkak, thonë ato është rritja e çmimit të miellit që importohet. Ndryshimi i çmimeve shkaktoi një reagim të vakët, kryesisht përmes rrjeteve sociale, ku qytetarë të ndryshëm shprehën mosmiratimin e tyre.

Pjesa tjetër, pra autoritetet, që nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që duhet të mbrojë konsumatorin, e deri te Autoriteti i Konkurrencës që duhet të garantojë tregun e lirë dhe konkurrencën, kanë heshtur deri më tani.

Ka të tjera institucione që as nuk e dimë që ekzistojnë, sepse nuk janë shprehur asnjëherë publikisht megjithëse paguhen nga paratë publike dhe qindra-mijëra euro mbështetje financiare nga Bashkimi Europian për forcimin e tyre.

A e di kush se prej vitit 2009 ekziston një Komision i ngritur për Mbrojtjen e Konsumatorit? Ai vepron pranë Ministrisë së Financave dhe përbëhet nga pesë anëtarë, përkatësisht dy përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për fushën e tregtisë, njeri prej të cilëve nga struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve, dy përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe një specialist i fushës së mbrojtes së konsumatorëve.

Komisioni ka edhe një portal në internet, që u mundëson qytetarëve që të dërgojnë ankesat e tyre në lidhje me pretendime për abuzimet në treg dhe shkelje të rregullave të tregut të lirë. Nga një vizitë e thjeshtë në faqen kmk.financa.gov.al e merr mënjëherë përshtypjen se sa funksionon ky komision dhe sa mund të dëgjohen ankesat e dërguara nga qytetarët.

Ankesat mund të mbesin në sirtaret virtualë të këtij Komisioni, sepse nëse e hap faqen kmk.financa.gov.al, aty sheh që përditësimi i fundit me njoftime është bërë që më datë 15 mars…2019-n në Ditën Botërore të Mbrojtjes së Konsumatorit.

Faqja e internetit e KMK-së me "të renë" e fundit një njoftim të datës 15 mars...2019

Sipas këtij aktiviteti online të Komisionit, konsumatori shqiptar nuk ka pasur probleme, as me ushqimin, as me shërbimet, as me transportin, as me çmimet. Komisioni nuk ka as një njoftim të thatë në 2020, në vitin e pandemisë dhe muajve të karantinës, kur të thuajse të gjitha institucionet kaluan shërbimet online.

Autoriteti tjetër që shërben për të mbrojtur interesin e konsumatorit është Autoriteti i Konkurrencës. Objekti i punës së këtij autoriteti është hetimi dhe ndëshkimi i kompanive private që gjen në shkelje të rregullave të tregut të lirë, monopole e truste që duke diktuar çmimet përmes marrëveshjeve të fshehta, ose të nënkuptuara shkelin konkurrencën e lirë të tregut.

Një prej “sukseseve” më të mëdha ndër vite të këtij autoriteti është gjoba rreth 420 mijë dollarë që i vendosi në vitin 2018-të kompanisë që zotëron tregun agro-ushqimor të Tiranës për sjellje abuzive në treg, monopol dhe çmime të larta. Gjoba ishte rreth 15 për qind e fitimit të deklaruar nga kompania për vitin 2017-t, sipas bilanceve të publikuara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Kompania u gjet me abuzim me çmimet e qirasë, që ishin disa herë më të larta se çmimet e aplikuara në këtë zonë, ndërkohë që tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira, duke e bërë këtë treg praktikisht një monopol. Norma e fitimit sipas raportit te Autoritetit të Konkurrencës është mjaft e lartë nga qiratë që aplikohen.

Institucioni tjetër i ngarkuar nga ligji për mbrojtjen e konsumatorit është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky institucion është i ngarkuar me detyrën që ta mbrojë qytetarin nga ushqimet e rrezikshme për shëndetin, të skaduara, ose jocilësore. Ndër vite denoncimet e qytetarëve dhe mediave se në treg qarkullojnë ushqime të skaduara, të falsifikuara si në ambalazh, ashtu edhe në përmbajtje, të rrezikshme për shëndetin janë të panumërta.

Por, rasti më i freskët është ai i akulloreve dhe çokollatave me përmbajtje substancash kancerogjene. AKU veproi në këtë rast, por kur? Përmbajtja kancerogjene e këtyre produkteve u gjet nga autoritetet spanjolle më 27 korrik 2021. AKU reagoi dy javë më vonë, ndërsa në fund të muajit gusht bëri bilancin duke thënë se në Shqipëri kishin hyrë rreth 36 tonë nga këto çokollata e akullore të këtij lloji.

Nga këto, sipas Autoritetit u sekuestruan në pikat qendrore të importuesve 20 tonë, dhe 4 të tjera u tërhoqën nga tregut. Për rreth 12 tonët e mbetur, AKU tha se ato ishin shitur dhe konsumuar nga qytetarët?!!.

Megjithatë, në fund të muajit gusht, një vëzhgim i Gazetasi.al në terren vuri re se edhe pas njoftimit të AKU-t se kishte tërhequr të gjitha produktet e identifikuara si të rrezikshme nga sistemi i Bashkimit Europian këto akullorev dhe çokollata vijonin që të shiten.

Është edhe Autoriteti i Kontrollit të Barnave. Po e dini se çfarë gjeti Kontrolli i Lartë i Shtetit: asnjë kontroll laboratorik për medikamentet gjatë vitit 2020, viti më i vështirë dhe më i rrezikshmi për jetën e shqiptarëve për shak të pandemisë.

Shkurt këto janë disa institucione që as e dimë që ekzistjmë, por dhe kur i dimë janë memece, e ca më keq të lënë në dorën e institucionit më të lartë shpirtëror, që as e paguajmë dhe as na paguan…Zotit


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë