Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) pësoi një rënie të lehtë me 0.6 pikë përqindje në gusht.
Megjithatë, ai ngelet ende dukshëm sipër mesatares afatgjatë, me 9.8 pikë përqindje më shumë.
Rënia e besimit u shfaq tek tregëtia. Ndërsa tek ndërtimi, shërbimet dhe mes konsumatorëve ndjesia ekonomike ishte se gjërat do të jenë më mirë.
Treguesi i besimit në tregti ra me 13.5 pikë përqindje krahasuar me muajin paraardhës, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pavarësisht rënies së fortë të gushtit, niveli i besimit qëndron më lart krahasuar me periudhën para pandemisë.
Treguesi i besimit të industrisë shënoi rënie me 0.9 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për ecurinë e kontratave porositëse nga eksportet. Në tërësi, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse totale dhe prodhimin ishin me rritje të lehtë krahasuar me muajin korrik. Megjithatë, bizneset e industrisë presin rënie të prodhimit, çmimeve dhe të punësimit në muajt në vijim.
Treguesi i besimit në ndërtim vijoi prirjen rritëse në muajin gusht, duke qëndruar në nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Indeksi u rrit me 0.8 pikë përqindje në krahasim me një muaj më parë. Kjo rritje pasqyroi vlerësimin e bizneseve për një nivel më të lartë të porosive aktuale, ndonëse vlerësimi i bizneseve në lidhje me aktivitetin ndërtues ishte më i ulët se një muaj më parë.
Edhe treguesi i besimit në shërbime regjistroi rritje për të pestin muaj rresht, duke arritur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit. Rritja e tij me 0.8 pikë përqindje në muajin gusht u ndikua kryesisht nga komponenti i lidhur me kërkesën.
Edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rritje në muajin gusht, duke iu rikthyer rritjes të regjistruar në pjesën më të madhe të vitit. Megjithatë, niveli i tij qëndron ende nën mesataren e vet afatgjatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.