Me fillimin e shkollës, procesi i vaksinimit do të kryhet edhe në universitete dhe konvikte. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në qendrën e vaksinimit në “Air Albania” tha se “kryesisht po punohet me qendrën e Qytetit Studenti edhe për të gjithë ata studentë, të cilët do të jenë regjistruar dhe që do të shkojnë edhe nëpër konvikte, pasi është e nevojshme që patjetër të jenë të vaksinuar. Por nga ana tjetër - sipas saj - edhe për të gjithë studentët për të cilët vaksinimi është edhe një kusht për të qenë sa më të lirshëm në auditor.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se më shumë se 60% e arsimtarëve i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës ndaj Covid-19. Ajo shtoi se afati i fundit për vaksinimin e tyre do të jetë deri në 30 shtator.
Gjithashtu edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata u ka bërë thirrje studentëve të vaksinohen që procesin mësimor dhe kryerja e praktikave të vijojnë normalisht. Muaji shtator do të jetë muaji i hapur për vaksinimin anticovid për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Deri tani janë kryer në total 1,539,232 vaksinime, prej të cilave, 673,951 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.