Motosport

Zyrtare/ Xhorxh Rasell, shok skuadre me Hemiltonin te Mercedesi në 2022-shin

Në vitin 2022 do të jetë Xhorxh Rasell shoku i ri i skuadrës për Ljuis Hemilton te Mercedes. Tani është zyrtarizuar gjithçka nga skuderia nga Shtutgarti. Piloti 23-vjeçar anglez do të marrë vendin e Valteri Botas, i cili pas 5 sezonesh do të lërë skuadrën kampione bote për të kaluar te Alfa Romeo. Pritej vetëm njoftimi zyrtar, që ka ardhur sot.

Rasell gjithmonë ka qenë në orbitën e Mercedesin për vendin e pilotit të dytë, por dinamikat e skuadrës kanë bërë që të avzhdohej me dyshen Hemilton-Botas, që ka sjellë pikë dhe tituj në seri. Botas gjithmonë e ka fituar rinovimin vit pas viti, duke nisur nga 2017-a, kur zuri vendin e Niko Rosberg, që në mënyrë të befasishme, pas fitimit të Botërorit të 2016-ës, vendosi të mos e vazhdonte karrierën si pilot.

Çfarë ndodhi tani? Thjesht Mercedesi vendosi të shohë për të ardhmen, duke firmosur me një prej talenteve më të mëdha të gjeneratës së tij, në një nivel me Maks Vershtapen, Sharl Leklerk, Lando Norris dhe Esteban Okcon, të cilët përbëjnë majën e diamantit për Red Bull-in, Ferrarin, MekLaren dhe Alpine.

Rasell ka më në fund shansin e madh në momentin më të mirë të pjekurisë së tij, pas tre sezonesh në Formula 1 me Uilliams, ku ka ditur të tregojë vlerat e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë