Lojëra me Dore

US Open/ Naomi Osakën e eliminon një 18-vjeçare, jashtë edhe Tsitsipas

Surpriza në ditën e 5-të të “US Open”. Pas eliminimit të Stefanos Tsitispas nga i riu spanjoll Karlos Alkaraz, tabela e femrave humb kampionen në fuqi të këtij turneu, Naomi Osaka, e eliminuar nga 18-vjeçarja kanadeze Leilah Fernandez, 5-7, 7-6 dhe 6-3.

Një humbje që hap skenarë të rinj për tenisten japoneze. “Mendoj se duhet të pushoj për pak. Kohët e fundit ndihem sikur nuk kënaqem kur fitoj. Pastaj, kur humb, ndihem shumë e trishtuar. Dhe kjo nuk është normale, – ka deklaruar Osaka mes lotësh. – Ndihem sikur në këtë pikë dua të kuptoj çfarë duhet të bëj. Me ndershmëri them se nuk e di kur do ta luaj ndeshjen time të ardhshme”.

Fernandez, 18-vjecarja kanadeze qe eliminoi Osaken. Gazeta Si, 4 shtator 2021

Japonezja, e pamposhtur në 16 ndeshje Slam, e nisi ndeshjen mjaft e vendosur. Kur seti i parë ishte barazim 5-5, ajo bëri 9 pikë të njëpasnjëshme dhe fitoi 7-5. Në setin e dytë, po në rezultatin 5-5, Osaka shfrytëzoi topin “break” dhe ishte pranë fitimit të ndeshjes, por pikërisht në momentin më delikat ajo humbi përqendrimin, rrëshqiti në 0-40 dhe në topin e tretë “break” u thye nga kanadezja, që më pas “fluturoi” dhe fitoi ndeshjen, duke bërë shërbime me 163 km/h.

Fernandez e shfryëtzoi në mënyrën më të mirë krizën e ish-numrit 1 në botë. Për 18-vjeçaren kanadeze bëhet fjalë për suksesin e dytë në karrierë ndaj një lojtareje të “top 5” (e para në 2020-ën kundër Bençiç). Kundërshtarja e radhës për të është gjermanja Angelique Kerber, e cila mundi Sloane Stephens. Ka kaluar pa probleme edhe Aryna Sabalenka, që mundi amerikanen Danielle Collins.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë