Hapi i parë për kompletimin e Grande Slam-it është bërë. Novak Gjokoviç ka kaluar turin e parë të US Open, duke mundur pas 4 setesh danezin Holger Rune, 6-1, 6-7, 6-2 dhe 6-1. Ashtu si në Uimbëlldon ndaj Xhek Draper, edhe në “Flushing Meadows” Nole vuajti për të mbajtur përqendrimin gjatë gjithë ndeshjes, duke i dhuruar rivalit setin e dytë. Publiku bërtiste “Ruuune” gjithë kohën për të mbështetur kundërshtarin e serbit.
Numri 1 në botë, pasi mbylli me lehtësi setin e parë, e hoqi “këmbën nga gazi” dhe favorizoi Rune në setin e dytë, ku danezi shkoi 3-0. Reagimi i Gjokoviç nuk pati vazhdimësi, i bezdisur edhe nga publiku, që donte të shikonte një ndeshje të hapur. Serbi rrëshqiti sërish në 4-0 në “tie break” dhe e humbi setin mes ovacionit të publikut pas një topi të shkurtër të danezit.

Por më pas Rune nuk ishte më në gjendje ta përballonte Gjokoviçin, i cili mbylli ndeshjen në 3-1. “Dua të them se natyrisht që dua ta kem publikun gjithmonë në anën time, por nuk është e mundur, – tha Gjokoviç pas ndeshjes. – U përqendrova te vetja dhe ajo që duhej të bëja”.
Numrat – Gjokoviç është 34 vjeç, Rune 18. Gjokoviç është numri 1 në botë, Rune numri 145. Gjokoviç ka fituar 20 tituj Slam, ashtu si Federer dhe Nadal, Rune ka qenë kampion junior i “Roland Garros” dy vjet më parë, por nuk ksihte luajtur asnjë ndeshje në tabelën kryesore të një turneu të rëndësishëm. Në karrierë Gjokoviç ka fituar 150 milionë dollarë, Rune 150000 dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




