Fillon sot turneu slam i katërt dhe i fundit i sezonit. Dy javë tenisi të nivelit të lartë në “Flushing Meadows”, me finalen të programuar për më 12 shtator. Në tabelën e meshkujve e gjithë vëmendja është te Novak Gjokoviç, i cili mund të fitojë të katër turnetë e mëdhenj brenda një viti dhe të kalojë Roxher Federerin dhe Rafael Nadalin për fitoret në karrierë në turnetë slam.
Tre kampionët janë në kuotën e 20 turneve, por në Us Open zvicerani dhe spanjolli nuk do të jenë, kështu që është një shans i artë për serbin. Gjokoviç është favorit absolut për këtë turne, që e ka fituar 3 herë në karrierë: në 2011-ën ndaj Nadalit në finale, në 2015-ën kundër Federerit dhe në 2018-ën kundër Del Potros. Sezonin e kaluar serbi u skualifikua në 1/8-at nga Karreno Busta për topin e famshëm që goditi gjyqtaren e linjës.
Nga ai moment, në turnetë slam ka ardhur humbja në finalen e Roland Garros 2020 kundër Nadalit dhe më pas trisi i sukseseve në 2021-shin: në Australian Open kundër Medvedevit, në Roland Garros kundër Tsitsipas dhe në Uimbëlldon kundër Berretinit.
Gjokoviç i kalon të gjithë sa u takon parashikimeve për këtë turne. Koka e grupit numër 2 është Danil Medvedev, i cili mund të përballet me serbin vetëm në finale. Rusi, finalist i US Open në 20190-ën kundër Nadalit, është rivali kryesor i numrit 1 në botë.
Por edhe Zverev, koka e grupit numër 3, nuk mund të nënvlerësohet. Gjermani, që me Gjokoviç mund të takohet në gjysmëfinale, vjen në këtë turne pas medaljes së artë të fituar në Olimpiadë dhe Masters 1000 të Sinsinatit. Zverev humbi në finalen e edicionit të kaluar kundër Dominik Thiem.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




