Vendimi për zhvillimin e vetëm tre xhirove në Çmimin e Madh të Belgjikës dhe dhënien pikëve të përgjysmuara për pilotët është shoqëruar me shumë polemika. Shumica mendon se gara duhej anuluar, mes tyre edhe Hemilton, duke parë kushtet atmosferike. Shtypi e ka konsideruar një vendim që poshtëron Formulën 1, një autogol i drejtuesve të garës.
“Ishte i rëndësishëm “pole position”, është vërtet mëkat që nuk garuam”, – ka thënë Maks Vershtapen pas asaj që ndodhi të dielën në Belgjikë. “Është një fitore e pakëndshme, – ka shtuar holandezi. – Duhen falënderuar fansat, që qëndruan gjithë ditën, janë ata fituesit e mëdhenj. Nëse nisja do të ishte bërë në orën 15:20, kushtet do të ishin më të mira”.

Vershtapen ka rikuperuar 5 pikë ndaj Hemiltonit, që kryeson renditjen. Kampioni i botës ka qenë shumë kritik, ai disa herë kërkoi që gara të mos zhvillohej. “Më vjen keq për tifozët, nuk është faji i askujt. Ata ishin të mrekullueshëm, qëndruan aty gjithë kohën, duke pritur një garë që nuk ishte.
E dinim që pista nuk do të përmirësohej, por vendosën që të bëheshin ato tre xhiro pas safety car, minimumi për të dhënë pikët. Shpresoj të rimbursohen tifozët”, – ka thënë Ljuis Hemilton, që zuri vendin e tretë. “Nuk arrinim të shikonim, ishte e pamundur. Mëkat, do të doja të garoja, do të ishte një garë e madhe”, – ka shtuar piloti i Mercedesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




