Një ngjarje të mundshme kriminale është parandaluar nga policia e Durrësit, e cila ka vënë në pranga 3 persona, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas policisë, tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës Ata janë: Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale "Kanosja" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani; Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Kanosja"; Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.
Të tre të arrestuarit po qarkullonin me makinë “BMW” në lagjen nr 15 të Durrësit brenda së cilës, në sediljen e pasme, kishin të mbështjellë me një çarçaf edhe një mitraloz.
Mjeti drejtohej nga Aldi Mustafa, i dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani.
Në momentin e ndërhyrjes ata kanë tentuar të largohen duke goditur makinën e policisë, por në atë moment kanë ndërhyrë dhe makinat e tjera të policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tyre, u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole,
1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.