Drejtësia

Abuzimi me tenderat e uniformave, ish-drejtoresha e prokurimeve publike mbetet në burg

Ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila u arrestua pas zbulimit të tenderit abuziv me uniformat e policisë, do të vijojë të qëndrojë në burg. GJKKO ka lënë këtë të mërkurë në fuqi masën “arrest me burg” ndaj saj.

Naqellari u arrestua bashkë me tetë zyrtarë të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë abuzuar me dhënien e tenderit të uniformave të policisë, i cili kap vlerën e 28 miliard lekëve.

SPAK ka konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik për këtë tender nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit.

Sipas dosjes hetimore, ka rezultuar se, shkelja e parë e kryer nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, është mënyra e ndjekur mbi procedurat  e tenderit.

Po kështu të arrestuarit, kanë bashkuar tre objekte të tenderimit në një të vetëm, duke favorizuar kështu mundësinë që një kompani të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën tre zëra.

Në burg janë: Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme;

Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara; anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri e Gëzim Mingaj. Ndërsa në arrest shtëpie është Anisa Bogdani, e cila duhet të kujdeset për fëmijën e mitur.

Të pandehurit kanë mohuar çdo akuzë, duke pretenduar se tenderimi i uniformave i është përmbajtur procedurave të prokurimit publik.

Skandali u denoncua verën e kaluar nga opozita, por personi që këmbënguli për çështjen, ishte deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë