Është arrestuar në Kosovë autori i dyshuar i vrasjes së 18-vjecares Marigona Osmani në Ferizaj. Sipas shtypit kosovar, që citon një zyrtar të policisë, Dardan Krivaqa, i cili ishte shpallur në kërkim, është vënë në pranga në një fshat pranë Ferizajt.
Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares Osmani, me të cilën bashkëjetonte prej pak muajsh. Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje dhe e reja dyshohet se është rrahur për vdekje dhe më pas është dërguar pa shenja jete në urgjencën e Ferizajt.
Adoleshentja do të përcillet për në banesën e fundit këtë të martë, ndërsa babai i saj është shprehur më herët për mediat se vajza e tij jetonte prej dy muajsh me Dardanin.
Sipas mediave nga Kosova, vajza ishte nën presion dhe e frikësuar, por nuk kishte guxuar që t’i tregonte se çfarë e mundonte.
Krivaqa, me precedentë të mëparshëm penalë është ndihmuar nga Arbër Sejdiu, 32 vjeç, i cili u arrestua një ditë më parë nga policia.

Ata u fiksuan nga kamerat e sigurisë, duke lënë 18-vjeçaren pa shenja jete në dyert e spitalit dhe pastaj janë larguar me një makinë ‘Audi A8’ me targa zvicerane me ngjyrë të zezë. Pak para arrestimit të tij, qytetarë, aktivistë dhe dhjetëra gra kanë protestuar në Ferizaj.
Ata mbanin në duar parulla të tilla si “Drejtësi për gratë e Vrara”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun”.
Qytetarët kanë qenë të revoltuar nga vrasja e Marigona Osmanit, duke u grumbulluar këtë të martë përpara Policisë, Gjykatës dhe Prokurorisë së Qytetit.
Për ngjarjen e rëndë reagoi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të vënë para përgjegjësisë autorët. Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka organizuar këtë protestë me pankarta që kërkojnë drejtësi për gratë e vrara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




