Lojëra me Dore

Rekordi i çdo epoke, Roxher Federer po del nga 10-shja më e mirë pas 961 javësh

Data 23 gusht është e veçantë për historinë e tenisit: është ditëlindja e renditjes Atp (renditja botërore në tenisin e meshkujve), ajo u krijua për herë të parë në vitin 1973 dhe këtë vit feston përvjetorin numër 48.

Sa shumë numra kanë bërë historinë, duke i renditur lojtarët në bazë të sistemeve matematikore (në bazë të mesatares deri në vitin 1989 dhe pastaj në bazë të shumës së rezultateve më të mira që nga viti 1990 e deri më sot), të diskutueshëm, por gjithmonë shumë rigorizë.

Në këto 48 vjet, Atp ka prodhuar 26 lojtarë numër 1 në botë: 4 në vitet ‘70 (Nastase, Njukomb, Konors dhe Borg), 3 në vitet ‘80 (MekEnro, Lendl dhe Uilander), 10 në vitet ‘90 (Edberg, Beker, Kurier, Sampras, Agasi, Muster, Rios, Moja, Kafelnikov dhe Rafter), 7 në 10-vjeçarin e parë të mijëvjeçarit të ri (Safin, Kuerten, Hjuitt, Ferrero, Rodik, Federer dhe Nadal) dhe vetëm 2 në 10-vjeçarin e fundit (Gjokoviç dhe Mërrei).

Në këtë renditje janë përfshirë edhe 172 lojtarë në top 10: 30 në vitet ’70, 35 në vitet ’80, 39 në vitet ‘90, 41 në vitet 2000 dhe 27 në 10-vjeçarin e fundit. Të fundit që janë përfshirë në 10-shen më të mirë janë Tsitsipas, Fonjini, Khaçanov, Medvedev, Bautista-Agut dhe Berretini në 2019-ën, Shapovalov, Shvartzman dhe Rublev në 2020-shin. Vendi lider i të gjitha kohërave është Amerika, me 32 lojtarë në top 10.

Në renditjen e këtij grupi tenistësh elitarë, të publikuar pikërisht sot, më 23 gusht 2021, për herë të fundit duket se do të bëjë pjesë Roxher Federer. Tenisti zviceran, që e ka mbyllur sezonin 2021, nisi sot javën numër 961 në 10-shen më të mirë të tenisit botëror. Sigurisht, është rekordi i çdo epoke, që Federer e ka arritur falë 3 periudhave të ndryshme: e para nga 15 korriku 2002 deri më 4 gusht 2002, e dyta është e e përjetshmja nga 14 tetori 2002 deri më 6 nëntor 2016 dhe e treta, ende e hapur, nga 30 janari 2017 e deri më sot, kur mban vendin e 9-të.

Federer ndiqet në distancë nga Rafael Nadal, i dyti i përhershëm, me 831 javë të pandërprera, duke nisur nga 25 prilli historik i 2005-ës, kur spanjolli hyri në 10-she me fitoren në Montekarlo. Që atëherë ai nuk ka dalë më nga kjo renditje. Në vend të tretë është Xhimi Konors me 818 javë, pastaj Andre Agasi me 747 javë, i pesti Novak Gjokoviç me 696 javë, pastaj Ivan Lendl me 671 javë, Pit Sampras me 586 javë, Boris Beker me 576 javë, Xhon MekEnro me 540 javë dhe Stefan Edberg me 497 javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë