Si sot 89 vjet më parë ndërroi jetë patriotja Marigo Pozio, qëndistarja e flamurit. Në një postim të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, shkruhet se Marigo Pozio (mbiemri i vajzërisë Poçi), lindi në Hoçisht të Korçës më 1878 dhe u vendos në Vlorë më 1904.
Marigo Pozio punoi për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mbështeti shkollat shqipe të kohës.
Ishte anëtare e klubit “Labëria” dhe aktiviste e gjallë, duke kontribuar edhe në organizimin e orkestrës së klubit. Më 1914 organizoi shoqërinë e parë të grave në qytetin e Vlorës, të cilën e riorganizoi më 1921 nën emrin “Shpresa Kombëtare”, duke nxjerrë dhe drejtuar gazetën me të njëjtën emër.
Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Pozios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë.
Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenore e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”.
Patriotja ndërroi jetë në Tiranë më 23 gusht 1932.
Shtëpia e rikonstruktuar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.