Një efektiv i forcave speciale RENEA ka përfunduar në prangat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas një operacioni të policisë për goditjen e një grupi që shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut në Tiranë.
Efektivi i arrrestuar është shtetasi Real Luli, 27 vjeç, ndërsa katër personat e tjerë të prangosur po në këtë aksion janë shtetasit me inicialet J.L., 30 vjeç, G.H., 26 vjeç, G.S., 27 vjeç dhe E.S., 26 vjeç. Në operacion u sekuestruan kokainë, hashash dhe armë.
Policia thotë se personat në fjalë ishin pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Tiranës, i cili dyshohet se drejtohej nga efektivi Luli.
Grupi vepronte kryesisht në zonën e njohur si "Parku i autobusave", Kombinatit, Misto Mame, Yzberish dhe Qytet të Nxënësve. Janë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis, para dhe armë. Policia ka kontrolluar disa banesa në zonën e ish-Parkut pasi ka pasur informacione se në to jetonin shpërndarës të lëndëve narkotike.
Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sende dhe objekte të kundraligjshme si më poshtë:
- 434 gr kokainë;
- 576 gr kanabis, e ambalazhuar;
- 100.6 gr lëndë narkotike e llojit “Ekstazy” e ambalazhuar;
- 18.2 gr fara të dyshuara për kultivimin e bimëve narkotike;
- 7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike;
- Vlera monetare 11,890 euro;
- 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK;
- Një krehër metalik brenda së cilës ndodheshin 20 fishekë Mod 56;
- 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme;
- 1 automjet tip Benz;
- 7 aparate celularë;
- Një pajisje me mbishkrimin “GRANADE FLASH-BANG BRZ-M93 P1 TM-1403”, së bashku me mekanizmin e saj metalik tip mashe;
- 2 motoçikleta (pa targa).
Ky është rasti i dytë brenda tre muajve, ku një efektiv i RENEA akuzohet jo vetëm si i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike, por edhe se drejtonte një rrjet të shpërndarjes së tyre. Në fillim të muajit maj, në pranga përfundoi efektivi i forcave speciale, Xhulio Liçi.
Liçi u arrestua më 14 maj në rrugën e Ndroqit së bashku me biznesmenin Dedë Nimani. Gjatë kontrolleve në makinën e efektivit të RENEA-s u gjet një sasi droge e llojit kokainë. Në procesin gjyqësor, 62-vjeçari Nimani mori përsipër pronësinë e drogës, duke deklaruar se efektivin Liçi nuk e njihte më herët, por se kishte hipur në makinë me të pasi i kishte bërë autostop në zonën e Plepave në Durrës.
Gjykata i la afat 35-ditor Prokurorisë që të vërtetonte se Xhulio Liçi ishte i përfshirë në shpërndarjen e drogës. Në përfundim të këtij afati, efektivi i RENEA-s u lirua edhe pas dëshmisë së 62-vjeçarit, Dedë Nimanit.
Nimani pranoi se droga ishte e tij dhe speciali i RENEA-s nuk kishte asnjë lidhje, por e kishte marrë rastësisht në makinë. Edhe vetë Xhulio Liçi u shpreh para togave të zeza se nuk e njihte më parë Nimanin, por kur e kishte parë në Plepa duke kërkuar makinë për të ardhur në Tiranë e kishte marrë atë, pa e ditur se në çantë kishte kokainë.
Në një rast të ngjashëm, në Sarandë u arrestua një muaj pas këtij rasti një efektiv i forcave “Shqiponja” me akuzën e shpërndarjes së kokainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.