Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të projektligjit të ri u shpreh me 262 subjektet e radhës të këstit të nëntë, ku është edhe emri i kengetarit të njohur Sherif Merdanit.
Por sipas tij, mbeten shumë dosje nga trashëgimtarët që presin dëmshpërblim dhe sipas ligjit aktual fatura shkon deri në 500 mln dollarë. Ai theksoi se deri tani nga të gjitha qeveritë janë paguar në total gati 250 mln dollarë,178 mln për pagesat dhe për strehimin dhe 20-25 milionë dollarë për familjet e reja në gati 10 vite. Ministri Ahmetaj u shpreh se qeveria Rama në mandatin e parë akordoi 70 mln dollarë për këtë kategori, ndërsa akuzoi Berishën që u ka akorduar vetëm 15 milionë.
“Deri tani kanë marrë 70 mln dollarë. Ne do të vijojmë për të paguar të gjithë kategorinë parësore. I drejtohem kësaj kategorie, që partitë tentojnë ta përdorin, vuajtjet kanë qenë të mëdha, por ajo parti që pretendon, PD, që i ka mbështetur i ka dhënë vetëm 15 mln, andej nga jugu ka një shprehje “i ka tharë zorrën”, ndërsa qeveria “Rama 1” dha 70 milionë. Shpresoj që komisioni dhe parlamenti ta mbështesin ndryshimin”, u shpreh Ahmetaj.
Ndryshimet që pëson ligji për ish-të përndjekurit
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”” që do të miratohet ditën e enjte në Kuvend parashikon ndryshimet e mposhte sipas deputetes së PS, Elvis Kushi;
Synon përmirësimin e formulës për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit, apo familjarët e tyre. Programi parashikon dëmshpërblimin e kësaj kategori gjatë mandatit të dytë qeverisës. Buxheti i 2018-ës siguron mbështetjen për ish-të dënuarit politik. Rishikohet mekanizmi i shpërndarjes së fondeve, u jepet prioritet atyre që janë ende në jetë. Sipas ligjit aktual, ndahet 70% për parësoret (për bashkëshortin dhe fëmijët) dh 30% për trashëgimtarët e tjerë. Projekti e heq këtë raport dhe parashikon ndarjen proporcionale.
Sipas ligjit aktual, kësti duhet të jetë jo më i vogël se 100 mijë lekë, ndërsa projektligji i sotëm e heq këtë. Krijohet mundësia që subjektet përfituese, që u takon 8 milionë lekë, ta përfitojnë të gjithë shumën. Këtyre subjekteve deri sot u kufizohej, ndërsa projektligji i ri parashikon shpërndarjen e plotë. Kur dëmshpërblimi parashikohet 1 milion lekë, bëhet menjëherë. Krijohet mundësia që në raste gabimesh të bëhet korrigjimet e nevojshme. Projektligji nuk sjell efekte në buxhetin e shtetit. Edhe ky diskutim në Komisionin e Ekonomisë u ne pa praninë e opozitës, e cila bojkoton jo vetëm seancat, por edhe komisionet që nga nisja e këtij sesioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.