Festimet në gjithë Italinë për triumfin në Euro 2020 kanë luajtur një rol vendimtar në shtimin e rasteve me të infektuarit meshkuj nën 40 vjeç. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë ISS (Instituti Superior i Shëndetit) në raportin e fundit në lidhje me ecurinë e pandemisë.
Dokumenti tregon se ka një numër më të madh të meshkujve nga 10 deri në 39 vjeç të infektuar nga Covid-19, në raport me numrin e infektimeve të po kësaj moshe te femrat, duke nisur nga qershori, kur në Itali është futur varianti Delta.
"Nga fundi i qershorit, treguesi i infektimit te meshkujt e moshës 10-39 vjeç rezulton të jetë gjithmonë e më i madh se te femrat, - shkruhet në raport. – Kjo ecuri mund të jetë e lidhur me ndryshimin e sjelljes dhe lëvizjet e shumta, festat dhe grumbullimet gjatë Euro 2020".
Mosha mesatare e atyre që janë infektuar nga Covid periudhën e fundit, sipas dokumentit të azhurnuar më 28 korrik, është 26 vjeç. Në përgjithësi në Itali ka një shtim të rasteve, pas zbutjes së masave shtrënguese dhe përhapjes së variantit Delta, që ka një nivel më të lartë të përhapjes së virusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.