Përveç katër skuadrave të Superiores, në kupat e Europës morën pjesë edhe katër skuadra të tjera shqiptare, Prishtina dhe Drita nga Kosova, si dhe Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi nga Maqedonia e Veriut.
Nga këto, vetëm Prishtina ia ka dalë të kalojë në turin e tretë të Ligës së Konferencës, pasi eliminoi uellsianët e Konahs. Kampionët e Kosovës, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Konferencës, ashtu si Teuta, por edhe Laçi, që e ka nisur direkt në këtë kompeticion.
Një paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe Drita, që pasi kaloi turin e parë, tronditi fort holandezët e njohur të Fejnordit në turin e dytë. Ndeshja e parë në Kosovë përfundoi 0-0, ndërsa në Holandë fituan vendësit 3-2 mes drithërimash, me një gol të shënuar në minutën e fundit. Për një moment Drita udhëhiqte 1-2, por nuk ia doli ta ruante rezultatin. Gjithsesi, paraqitja e saj bëri bujë në Holandë.

Një paraqitje tejet zhgënjyese ka bërë këtë herë Shkëndija e Tetovës, e vetmja nga të gjitha skuadrat shqiptare që i humbi të katër ndeshjet e zhvilluara në Europë, 2 në Ligën e Kampionëve dhe 2 në Ligën e Konferencës. Për më tepër, tetovarët e drejtuar nga Ernest Gjoka nuk arritën të shënonin asnjë gol dhe kritikat nga tifozët kanë qenë shumë të forta. Shkëndija u eliminua nga Riga në Ligën e Konferencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




