‘Arrest me burg’ ka qenë masa e dhënë sot nga Gjykata e Gjirokastrës për babë e bir, Hetem Muho 59 vjeç dhe Dino Muho 20 vjeç, të cilët akuzohen për vrasjen e Alket Muhos.
Ky i fundit u gjet i vrarë me plumb pas koke në vendin e quajtur “Bolovec” në fshatin Rabie të Memaliajt. Dy autorët, kushërinj të viktimës, akuzohen se vranë 43-vjeçarin për çështje pronësie. Edhe sot në sallën e gjyqit të dy, si babai dhe djali mohuan akuzat dhe thanë se ndodheshin rastësisht në fshatin Rabije.
“Pavarësisht konflikteve të mëparshme, me të kemi pasur raporte si me të gjithë banorët e tjerë të fshatit”, kanë thënë ata në gjykatë duke mohuar të kenë lidhje me vrasjen.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se dy autorët e kanë kryer krimin për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie, në fshatin e origjinës së autorëve.
Tashmë ndaj Hetem dhe Dino Muhos rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje me dashje kryer ne bashkëpunim, “Prodhim e mbajtje pa leje armëve luftarake e municionit”, “Prodhim e mbajtje pa leje armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




