Rend dhe Ligj

Foto-Video/ DEA arreston “Jimmy”-n, bosin shqiptar të kokainës në Kolumbi

Një trafikant shqiptar i drogës është arrestuar në Kolumbi nga Dea amerikane. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se shqiptari i identifikuar me emrin Agim Çerma dhe i njohur ndryshe me pseudonimin “Jimmy”, kishte rolin e drejtimit të grupit.

Bashkë me të janë arrestuar edhe katër anëtarë të bandës që  merrej me trafikun e drogës, me kërkesë një gjykate në SHBA.

Dyshimet janë se Çerma kishte marrë para në Europë për të blerë kokainën në zonat e prodhimit të paligjshëm në Cauca dhe për të garantuar transportimin e saj me fluturimet Charter përmes aeroportit “Alfonso Bonilla Aragón de Palmira” (Valle del Cauca).

Agim Çerma ishte personi kryesor i këtij grupi kriminal. Ai ishte përgjegjës për marrjen dhe transferimin e parave nga Evropa për të blerë kokainë nga Kolumbia.

Pas marrjes së parave, Çerma kujdesej për dërgesën e kokainës drejt Evropës nga ishte bërë porosia. Lënda narkotike trafikohej përgjithësisht në rrugë ajrore përmes fluturimeve charter.

Për të garantuar këtë mënyrë transportimi, ky grup mbante lidhje me kartelin Clan del Golfo, që vepron në veriperëndim të Kolumbisë.

Gjatë këtij operacioni për shkatërrimin e grupit kriminal, autoritetet sekuestruan të paktën 300 kilogramë kokainë dhe 524 mijë Dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë