Ngjarje

Teatri u hoq nga zona historike e mbrojtur e Tiranës tre muaj pas miratimit të ligjit për shembjen së tij

Godina dhe territori i Teatrit Kombëtar është hequr nga zona e mbrojtur historike e qendrës së Tiranës tre muaj pasi Kuvendi miratoi ligjin special për ndërtimin e godinës së teatrit të ri, që i jepej me PPP kompanisë “Fusha” pas një propozimi të pakërkuar nga kjo e fundit.

Detaji zbulohet nga vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Kushtetuesja thotë se Këshilli i Ministra ka miratuar më datë 3 tetor 2018 VKM-në me numër 582 me objekt “për deklarimin e qendrës historike të qytetit të Tiranës”, ndërkohë versioni fillestar i ligjit për godinën e re u miratua në fillim të muajit korrik 2018, për t’u rishikuar më 20 shtator të po atij viti pas kritikave edhe nga ndërkombëtarët për mungesën e garës.

Me anë të kësaj VKM-je, Qeveria ka përcaktuar qendrën historike të qytetit të Tiranës, si hapësirë urbane në mbrojtje, e cila përbëhet nga: qendra historike, zona mbrojtëse dhe zona arkeologjike A e Kalasë së Tiranës, si dhe ka miratuar planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone.

Edhe kjo VKM nuk përcakton objektet që përfshihen në të, por vetëm kufijtë e zonës historike. Brenda këtyre zonave përfshihen ansamble historike urbane, monumente të kategorisë së parë dhe monumente të kategorisë së dytë, zona me potencial arkeologjik, zona të gjelbra, sheshe dhe objekte pa status. Në këtë VKM sipërfaqja në të cilën ndodheshin godinat e Teatrit Kombëtar është nxjerrë jashtë kufijve të zonës historike.

Heqja e teatrit nga harta e qendrës historike është pasqyruar edhe në një raport të Këshillit të Lartë të Shtetit të vitit 2020, ku janë konstatuar shkelje në veprimtarinë e Institutit të Ndërtimit, që e shpalli këtë godinë të rrezikshme dhe kërkoi rifutjen e teatrit dhe hapësirës së tij te zonat e mbrojtura.

Në këtë raport KLSH-ja rekomandon që procesi i miratimit apo edhe nevoja e ndryshimit ose përcaktimit të kufijve dhe koordinatave të qendrës historike të qytetit të Tiranës, t’i nënshtrohet një procesi të gjerë e të plotë shqyrtimi dhe diskutimi nga institucionet e përfshira në këtë proces, duke propozuar edhe revokimin e VKM-ve që e nxorrën jashtë kufijve të zonës historike sipërfaqen ku ndodhej ndërtesat e Teatrit Kombëtar.

Në përfundim të këtij rekomandimi, KLSH-ja i ka kërkuar Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Tiranës rindërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në zonën ku kanë qenë godinat e mëparshme, në të njëjtin stil dhe pamje arkitektonike që ka pasur, me të njëjtat volume dhe me të njëjtin projekt.

Gjykata thekson se nuk është në kompetencë të saj të analizojë nëse Teatri Kombëtar është apo jo vlerë kulturore kombëtare, por ajo konstaton se ai ka mbartur cilësi emocionale, shpirtërore dhe kulturore të veçanta në historinë e vendit. Aty u shfaqën pjesë teatrore dhe për herë të parë në Shqipëri, opera e koncerte të muzikës klasike, por edhe koncerte të muzikës folklorike shqiptare. Në vitin 1945 u dha premiera e parë “Topazi”, e cila shënoi edhe lindjen e të parit teatër profesionist në Shqipëri.

“Prej 73 vjetësh kompleksi i godinave ka qenë selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një nga institucionet artistike më të rëndësishme në vend, në të cilin kanë lindur të gjitha institucionet kombëtare të artit skenik dhe edukimit artistik”, thekson Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë