Ngjarje

Bum turistësh serbë në Shqipëri, priten 70 mijë vizitorë deri në fund të verës

Pavarësisht deklaratave të politikanëve në Serbi, të dhënat zyrtare tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje.

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë se numri i turistëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Shifrat e larta vijnë ndërkohë që Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Dragan Markoviç Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka këshilluar haptazi qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

Në faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviç citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

Por, shumë nga serbët që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar këtë vit, kanë injoruar këshillat e tij.

“Dragan Markoviç Palma nuk merret për bazë për këshilla, sidomos për temat rajonale”, thotë Jana Vujiq, banore e Beogradit.

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

I pyetur se si mund të ndikojnë deklaratat e Markoviçit në sektorin e turizmit, Seniçiq thotë se ato, përgjithësisht, nuk çojnë në ndonjë gjë të mirë.

“Patriotizmi” vs. mini-Shengeni

Që nga janari i këtij viti, qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me kartën biometrike të identitetit. Kjo vlen edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë në Serbi. Kjo është bërë e mundur me marrëveshjen ndërshtetërore që qeveritë e këtyre dy vendeve e kanë arritur në kuadër të Mini-Shengenit Ballkanik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë nënshkruar një marrëveshje për lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Nga 1 korriku janë hequr edhe tarifat e roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Boris Firicki, administrator i faqes Albanija.rs, i cili promovon ofertat turistike të Shqipërisë, është i bindur se ana pozitive e vendit tonë, do të dëgjohet gjithnjë e më shumë.

“Dhjetëra e qindra deklarata të zotit Markoviç absolutisht nuk mund të jenë më të zëshme dhe më të fuqishme se dhjetëra mijëra turistë që kanë qenë tashmë këtë vit në Shqipëri dhe pothuajse gjysmë milioni njerëz që kanë qenë në pesë vjetët e fundit”, thotë Firicki.

Ueb-faqja Albanija.rs është themeluar në vitin 2019 dhe i inkurajon në mënyrë aktive qytetarët e Serbisë që të vizitojnë Shqipërinë. Firicki, 25 vjeç, thotë se motiv i tij ka qenë njohja dhe afrimi përmes një sfere neutrale si turizmi.

“Unë jam i sigurt se kontaktet e drejtpërdrejta të njerëzve, të cilët kanë paragjykime në njëfarë mënyre, nga cilado anë, do të kontribuojnë për një rajon shumë më të mirë në të ardhmen”, thotë Firicki.

Me qëllim promovimin e bashkëpunimit turistik, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka qëndruar këtë muaj në Beograd, ku është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë